Droni i dytë brenda 24 orëve gjendet i rrëzuar në veriperëndim të Turqisë

Një dron me origjinë të panjohur është gjetur i rrëzuar në veriperëndim të Turqisë, më pak se 24 orë pasi një tjetër mjet ajror pa pilot, i dyshuar si me origjinë ruse, u zbulua në të njëjtën zonë, raportuan mediat turke të shtunën.

Sipas disa televizioneve dhe gazetës Cumhuriyet, droni u gjet në një fushë të zbrazët pranë qytetit Balikesir, rreth tre orë në jugperëndim të Stambollit. Mediat raportojnë se droni është transportuar në Ankara për analiza, ndërsa autoritetet ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar.

Duke iu referuar fermerëve lokalë, disa media thanë se rrëzimi mund të ketë ndodhur disa ditë më parë. Ky është incidenti i tretë i këtij lloji që nga e hëna.

Ngjarja vjen pasi Turqia ka paralajmëruar Rusinë dhe Ukrainën që të mos lejojnë përhapjen e luftës së tyre në rajon. Autoritetet turke kanë fajësuar Rusinë për një dron tjetër të gjetur të premten pranë qytetit Izmit, i cili sipas Ministrisë së Brendshme besohet të jetë i tipit Orlan-10, i përdorur për zbulim dhe mbikëqyrje.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka paralajmëruar se Deti i Zi nuk duhet të shndërrohet në një “zonë përballjeje” mes Rusisë dhe Ukrainës. /mesazhi