Duaja e Haxhinjve

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut të Plotfuqishëm. Falënderimi i takon Atij, që ishte kur nuk ekzistonte asgjë. Falënderimi i takon Allahut, i Cili është i Pari, pa fillim dhe i Fundit, pa mbarim, i Cili e di të brendshmen dhe të jashtmen. Falënderimi i takon Atij që në librin fisnik thotë:

“Dhe thirr ndër njerëz për Haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura, që vijnë prej rrugëve të largëta, për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre, dhe për ta përmendur Allahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi).
Falënderimi i takon Allahut, i Cili Qabenë e bëri shtëpinë e parë për adhurim dhe vizitën e saj për besimtarët – obligim. Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin mbi Muhamedin a.s. mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij besnik e fisnik dhe mbi të gjithë ata që e përcollën dhe përcjellin rrugën dhe traditën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

O Allah, Që nuk ke shok tjetër, vetëm Ty Të besojmë, vetëm tek Ti kemi shpresë dhe vetëm te Ti mbështetemi. Ti je Mëshiruesi e Mëshirëbërësi, lehtësoju rrugën këtyre haxhinjve.
O Fuqiplotë, mundësoju këtyre haxhinjve kryerjen e ceremonive të Haxhit, tavafin e shtëpisë Sate, në Safa e Merva, qëndrimin në Arefat, në Muzdelife e Mine, në vizitën e xhamisë së Pejgamberit a.s. dhe vende të tjera.
O Zoti ynë, shuaju etjen këtyre haxhinjve nga kroi i Zem-zemit dhe na e bëj nasib edhe neve, e në Ahiret bëna të mundur që të pimë nga kroi i Xhenetit.
O i Gjithëmëshirshëm, na e bëj të mundur neve që të kujtojmë Ty në kënaqësitë dhe në vështirësitë më të mëdha, e haxhinjve me gjuhën e tyre duke thënë: LEBEJKALL-LLAHUM-ME…TË PËRGJIGJEM O ZOT, TY, ZOTI IM, TË PËRGJIGJEM,TË PËRGJIGJEM, QË NUK KE SHOK, TË PËRGJIGJEM TY,PËR TY ËSHTË ÇDO LAVDATË E FALËNDERIM,DHUNTI E PUSHTET, DHE NUK KE SHOK
O Allah, na e bëj këtë tubim të bekuar dhe këtë dua të pranuar dhe këtë rrugë të lehtësuar, e largoji nga ne rreziqet e mundimet, për në çdo vend të shenjtë.
Të lutemi Ty, o Madhëria Jote, që t’i ruash robërit e Tu, kudo që të jenë, dhe nga çdo gjë e ligë, ruaji ata që udhëtojnë nëpër tokë, nëpër det, e nëpër ajër, të shkojnë e të kthehen shëndoshë, me dhuntitë e Tua, o Mëshiruesi i Mëshiruesve.
O Zoti Fuqiplotë, ndihmoji ata që ndihmojnë fenë Tënde, e shkatërroji ata që mundohen t`a shkatërrojnë fenë Tënde.
O Zoti ynë, lëshoji mëshirën dhe bekimet e Tua mbi ne, mbi popullin tonë, mbi haxhinjtë e mbi myslimanët në përgjithësi.
O Zoti ynë, lëshoji mëshirën, paqen dhe bekimin Tënd mbi këtë popull e në këtë tokë, në të cilën na krijove me dëshirën Tënde, ku do të kthehemi dhe prapë do të ngrihemi prej saj, para Teje.
O Sundues i gjithësisë, na bëj mbizotërues në tokën tonë, e mos lejo që armiqtë e Tu dhe armiqtë tanë të na shkelin dhe të na robërojnë në trojet tona.
O Shërues, jepu këtyre haxhinjve dhe neve shëndet, të sëmurin shëroje, të robëruarin liroje, vendësin bekoje, të humburin drejtoje, e armikun shkatërroje.
O Pranues i veprave, pranoje këtë vepër prej nesh, Ti i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
O Zoti ynë, na bëj ne dhe pasardhësit tanë besnikë ndaj Teje.
O Furnizuesi ynë, begatona në këtë dhe në botën tjetër me të mirat e Tua dhe pranoje pendimin tonë, Ti je Ai që e pranon pendimin dhe je Mëshirues.
O Falësi ynë, Ti je Falës, e pranon faljen, na fal ne, prindërit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, farefisin tonë dhe besimtarët në përgjithësi në Ditën e Llogaritjes së saktë.
O Allahu ynë, na e bëj të mundur që Pejgamberi Yt, Muhamedi a.s., të jetë ndërmjetësues yni në Ditën kur nuk ka ndërmjetësues tjetër përveç atij që e lejon Ti.
O i Gjithëpushtetshëm, na forco bindjet tona dhe na bëj prej besimtarëve të devotshëm, e na ruaj në çdo vend dhe në çdo kohë nga intrigat e shejtanit dhe insanit.
O Allahu im të përgjigjem për Haxh.
Allahu im ky është vendi të cilin e ke bërë të sigurt dhe të shenjët. Bërja zjarrit trupin tim të ndaluar dhe bëre të sigurt nga dënimi Yt, Ditën kur do t’i ringjallësh robërit Tu. Bëna prej të dashurve dhe të nënshtruarve Tu. Me emrin e Allahut, Allahu është i madh.
O Allahu im, me besim në fenë Tënde, duke konsideruar të vërtetë librin Tënde, duke përmbushur premtimin që të kam dhënë, e duke pasuar Pejgamberin a.s. kane vendosur qe ta kryejnë Haxhin keta besimtare, andaj ju ndihmo që ta kryejnë dhe pranoje prej tyre.
O Zot të lutem që të na mbrosh nga brengat, pikëllimi, pamundësia, përtacia, na mbro nga shpirtngushtësia dhe koprracia.
O Zot na përforco në fe, e cila na mbron, na përmirëso të mirat e kësaj bote nga të cilat jetojmë, na përmirëso gjendjen me të mira në botën tjetër ku do të shkojmë.
O Zot na fal gabimet e tona, të prindërve tone dhe të besimtarëve në përgjithësi.
O Allah na jep të mira në këtë botë dhe në botën tjetër, shpërblena me Xhenet dhe na ruaj nga zjarri i Xhehenemit.

Të përgjigjemi, o Zot, Ty të përgjigjemi, të përgjigjemi Që nuk ke shok. Të përgjigjemi Ty, për Ty është çdo lëvdatë, falënderim, dhunti e pushtet dhe nuk ke shok.
I pastër e i lartë është Zoti yt, Zoti i gjithëfuqishëm nga ajo që ata i përshkruajnë. Çdo e mirë qoftë ndaj të dërguarve. Dhe falënderimi i qoftë All-llahut, Zotit të gjithësisë!
(Es-Safat: 180-182). /islamgjakova