Një stuhi e fuqishme dimërore ka shkaktuar vdekjen e dy fëmijëve dhe tre palestinezëve të tjerë në Rripin e Gazës, ndërsa reshjet e dendura të shiut, erërat e forta dhe temperaturat e ngrira kanë goditur strehët e të zhvendosurve dhe kanë shkaktuar shembjen e mureve, shtëpive dhe tendave, shumë prej të cilave ishin dëmtuar më parë nga sulmet izraelite, transmeton Anadolu.
Tre palestinezë humbën jetën sot në incidente të ndara të shkaktuara nga shembjet strukturore për shkak të stuhisë. Dy vëllezër, Khader dhe Khalil Iyhab Hanouna, vdiqën kur një mur i ra tendës së tyre në qendër të Qytetit të Gazës nën peshën e reshjeve të dendura, thanë burime lokale për Anadolu.
Në veri të Gazës, ekipet e Mbrojtjes Civile gjetën trupin e një palestinezi tjetër pasi një shtëpi u shemb në zonën Beit Lahia të Jabalias, duke shpëtuar dy fëmijë të lënduar dhe duke vazhduar kërkimet për viktima të tjera të mundshme të bllokuara nën rrënoja.
Ndërkohë, dy fëmijë palestinezë vdiqën nga i ftohti i rëndë në strehat e tyre në pjesë të ndryshme të Qytetit të Gazës dhe u shpallën të vdekur me të mbërritur në Spitalin Al-Shifa, sipas burimeve mjekësore.
Viktima e parë, Hadeel Hamdan, 9 vjeçe, po strehohej me familjen e saj në një shkollë të kthyer në qendër strehimi, ku familjet po përballen me kushte të vështira dhe mungesë ngrohjeje.
Viktima e dytë, një foshnjë e identifikuar si Taym al-Khawaja, vdiq nga i ftohti ekstrem ndërsa po jetonte me familjen e tij në mbetjet e shtëpisë së tyre, tashmë e dëmtuar nga sulmet izraelite, në kampin e refugjatëve Shati në perëndim të Qytetit të Gazës.
Këto dy vdekje e rritën në tre numrin e fëmijëve që kanë humbur jetën nga ekspozimi ndaj të ftohtit që nga fillimi i stuhisë të mërkurën, pas vdekjes së një vajze foshnje, Rahaf Abu Jazar, të enjten në Khan Younis pasi tenda e familjes së saj u përmbyt nga uji i reshjeve.
Tri ndërtesa të tjera u shembën në perëndim të Qytetit të Gazës të enjten, teksa reshjet e mëdha dhe përmbytjet vazhduan të godasin territorin.
Sipas Mbrojtjes Civile, rreth 250 mijë familje aktualisht jetojnë në kampe zhvendosjeje në gjithë Rripin e Gazës, shumë prej tyre duke u përballur me të ftohtin dhe përmbytjet brenda tendave të brishta.
Pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor, kushtet e jetesës në Gaza nuk janë përmirësuar, pasi Izraeli vazhdon të vendosë kufizime të rrepta për hyrjen e kamionëve me ndihma, duke shkelur protokollin humanitar të marrëveshjes.
Izraeli ka vrarë më shumë se 70 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë në sulmet në Gaza që nga tetori 2023, të cilat kanë vazhduar pavarësisht armëpushimit dy muaj më parë.






