Dy fjalë për familjen emblematike të Adem Çerkezi nga Obiliqi

Adem Çerkezi

Kur e shohim jetën e Bacit H. Adem Çerkezi në retrospektivë më të thellë, na kujtohen jetët, sfidat dhe shpërblimet që Zoti u ka dhuruar familjeve pejgamberike. Disa mund ta konsiderojnë këtë krahasim të ekzagjeruar, por faktet e jetës së tij e bëjnë këtë më të kuptueshme:

1. Bacit Adem iu nda nga jeta bashkëshortja në moshën më të mirë, ngjashëm siç Pejgamberit Muhamed (a.s.) iu shua nga jeta e dashura e tij, Hatixhja (r.a.).

2. Zoti e begatoi Bacin Adem me shumë fëmijë, por më pas ia mori tre djemtë e tij, në luftë e në liri – ashtu siç Pejgamberit (a.s.) iu morën tre djemtë sa ishte gjallë dhe njëra nga Vajzat. Nuk është rastësi që Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Kujt i merret pema e zemrës (fëmija) dhe bën durim, do t’i mbillet në Xhenet një pemë e quajtur Pema e Durimit dhe e Falënderimit.”

3. Lusim Zotin e Madhnueshëm që në hijen e atyre pemëve të Xhenetit, të cilat, siç ka thënë Pejgamberi (a.s.), një kalorës nuk i përshkon as për 150 vite, Baci Adem të gjejë paqe me djemtë, nipërit, mbesat dhe gjithë familjen e tij, të cilët lusim Zotin të shtohen si degët e asaj peme.

4. Pema e parë ishte rënia heroike e djalit të tij dëshmor, për të cilin shpresojmë se është pranuar si i tillë. Pejgamberi (a.s.) ka thënë ndër të tjera se: “Një dëshmor do të jetë si një pemë gjigante, nën hijen e së cilës do të gjejnë ndërmjetësim deri në shtatëdhjetë anëtarë të familjes së tij.”

5. Zoti e sprovoi Bacin Adem edhe me një tjetër prove, sëmundjen që i’a preku dy sytë. Por ashtu sikur Pejgamberi (a.s.) ka dhënë sihariqin se: “Kush sprovohet me dy të dashurit e tij (sytë) dhe bën durim, shpërblimi i tij është vetëm Xheneti.”

6. Megjithë këto sprova, Zoti e nderoi këtë familje edhe me një bir tjetër – Hoxhë Rexhep Ef. Çerkezi – burrë modest dhe me ndikim të madh në thirrje për të mirën e për dobinë shoqërore. Zëri i tij në minber të Xhamisë tingëllon fuqishëm, ngjashëm me zërin e Mulla Jakupit (r.a) në Sllupçan të Maqedonisë. Ai po ecën me përkushtim në gjurmët e Ulemave dhe hoxhallarëve të kësaj treve, si Mulla Xhemajl Hashani (r.a.) dhe Hoxhë Husamedin Abazi, nga i cili i mori hapat e parë të diturisë dhe inspirimin në këtë rrugë. Për këtë, Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kush e ndihmon një thirrës në rrugën e Zotit (qoftë nxënës apo memorizues i Kuranit), në Ditën e Gjykimit do të ketë një diell si kurorë mbi kokë.”

Ata që e njohin për së afërmi Bacin Adem e dinë mirë se nuk nevojiten shumë fjalë për të përshkruar personalitetin e tij unik: një burrë i devotshëm, i virtytshëm e me moral të lartë; një trim i vendosur, që asnjëherë as vërr nuk i bëri syri, as nuk e uli kokën as plisin e bardhë para armikut okupator, por me guxim e me zemër i frymëzoi aq sa mundi edhe Bijtë e tij trima të luftonin me pushkë e me fjalë. Njëri nga djemtë e tij, pati fatin të bie dëshmor në altarin e Atdheut, duke e bërë kështu edhe familjen Çerkezi njëra ndër familjet emblematike të luftës për Atdheun, e cila u bë tmerr dhe frikë për armiqtë kudo që e kërkonte vatani.

Lusim Zotin e Madhnueshëm ta falë këtë Familje të madhe në modesti, t’ua kompensojë në këtë botë dhe në botën tjetër këto sfida dhe humbjet t’ua kthejë në fitore, me durim dhe qëndrueshmëri stoike që të fitojnë kënaqësinë e Tij, ashtu siç do të gëzojnë respektin e palëkundur në shoqëri.

Rrahman FERIZI

23 Gusht, 2025