Dy macet grindavece

Një herë e një kohë, dy mace u gjendën përballë njëra-tjetrës tek një korridor i ngushtë. Kur u afruan pranë asnjëra prej tyre nuk i hapte rrugë tjetrës për të kaluar. Ato thjesht qëndronin përballë dhe kur panë se tjetra nuk po lëviz, filluan ti çirren njëra-tjetrës.
“Hape rrugën moj shtrigë!” i tha njëra.
“Hë moj qyqare më luaj vendit se ta përplasa fytyrës!” ia ktheu tjetra.
“Hapu moj se unë isha e para këtu!”
“Ik moj mjerane se unë jam më e madhe dhe më e vogla i hap udhë më të madhes!”
“Hap moj shëmtaraqe rrugë se unë jam e bukura e dheut!”
“Nëse ka një të bukur këtu, ajo jam unë!”
“Po unë jam më e mençur dhe duhet të kesh respekt për mua!”
“Kurse unë jam më e fortë, prandaj luaj vendit se të zhdëp në dru!”
“Hap rrugën se i thirra bijtë e bijat e mi të shumtë të ta tregojnë qejfin!”
Fjalët e britmat janë lanë vendin përleshjes, shkuljes së qimeve, kafshimeve e çjerrjeve.
Pas pak, aty pranë vjen një mace tjetër, mesa duket më e zgjuar, e cila i sheh dhe ia fillon të qeshë me të madhe.
Dy macet grindavece ndalen dhe gjithë çudi i hedhin vështrimet tek macja që qeshte.
“Po ti moj, çfarë ke që qesh? Avash se mos të bie të fikët!” i tha njëra.
Macja që qeshte iu përgjigj:”Përse qesh?! Po qesh me sjelljen tuaj moj të mjera! Po harxhoni kohën dhe po dëmtoni njëra-tjetrën thjesht se nuk e lejoni tjetrën të kaloj rrugën. Korridori, pavarësisht se është i ngushtë, ka hapësirë të mjaftueshme që secila të kalojë matanë.
A s’më thoni, përse po grindeni? Mos nuk keni punë tjetër për të bërë?”
“Është çështje dinjiteti dhe pushteti!” u përgjigjën njëzëri dy macet.
Macja e mençur mjaulliu dhe u tha:”Doni të provoni sa të forta dhe të pushtetshme jeni? E kush do t’ia dijë për këtë?
Ai që ka dinjitet, pushtet, forcë dhe vetvlerësim, nuk e ndjen të nevojshme që këtë t’ua tregojë të tjerëve, sepse ndihet mirë me veten e tij. Edhe të tjerët e ndjejnë forcën dhe dinjitetin e tij, prandaj e respektojnë dhe e duan, pa e pasur frikë.
Në këtë jetë ka plot gjëra të mirë, ushqim të shijshëm dhe plot kënaqësi të tjera që ia vlen të shijohen, kurse ju qëndroni para njëra-tjetrës duke shkulur qimet, goditur dhe kafshuar. Mos u duket diçka praktike dhe e arsyeshme kjo? Hapni sytë motra dhe rrituni!
A thua vallë është kaq e rëndësishme kush i hap rrugën tjetrës dhe kush kalon e para korridorin? A mendoni se ia vlente që të largoheni që këtu me gjithë këto ndukje, grushta, çjerrje e goditje? Po humbisni kohën, energjitë dhe shëndetin kot fare moj të mjera!
Shihni përreth sa kafshë të tjera po u ndjekin dhe po gajasen me sjelljen tuaj aspak të arsyeshme!”
Dy macet kishin shtangur në vend dhe nuk dinin çfarë të thonë. Fjalët e maces së zgjuar ishin plotësisht të drejta, por pavetëdija e tyre, sjelljet e programuara dhe zakonet kishin qenë shumë të forta dhe të parezistueshme. Për to, kishte qenë shumë e vështirë për ti rezistuar tundimit të tyre.
Por, a thua vallë hoqën dorë nga grindja dhe lufta dy macet duke i lënë vend njëra-tjetrës për të kaluar korridorin e ngushtë?
Përgjigjen, po ua lemë juve në dorë.

Nga: Elmaz Fida