Ballina Lajmet Kosovë Dy të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë mbrohen në heshtje, i...

Dy të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë mbrohen në heshtje, i treti do të deklarohet në seancën e radhës

Dy prej të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë – Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq – kanë vendosur të mbrohen në heshtje. Përderisa Dushan Maksimoviq pritet të deklarohet në seancën e radhës.

Kjo ka ndodhur të premten në Gjykatën Themelore, ku trupi gjykues i përbërë nga kryetari Ngadhnjim Arrni dhe anëtarët Rrahman Beqiri dhe Donika Shala Abdyli, ka marrë vendime lidhur me administrimin e provave në rastin e njohur si “Banjska”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë proces, Prokuroria përfaqësohet nga prokurori Naim Abazi, ndërsa të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq. I dëmtuar në këtë rast është edhe Çlirim Shaqiri, i përfaqësuar nga avokati Naim Rudari.

Gjatë seancës, përfaqësuesi i të dëmtuarve paraqiti prova materiale, përfshirë raporte mjekësore dhe fotografi të lëndimeve të Alban Rashitit dhe Çlirim Shaqirit, i cili ishte i vetmi në seancë nga të dëmtuarit. Sipas tij, Rashiti vazhdon të jetë në trajtim mjekësor dhe i paaftë për punë si pasojë e plagëve të marra gjatë sulmit, ku humbi jetën edhe heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ai kundërshtoi edhe një provë të paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, konkretisht një diplomë që pretendohet se dëshmon profesionin e tij si teknik mjekësor. Sipas tij, provat e Prokurorisë tregojnë se Spasojeviq është arrestuar i uniformuar dhe i armatosur, duke theksuar se “nuk ishte person që shëronte plagë, por ai që i shkaktonte ato”.

Gjykata vendosi të pranojë provat e paraqitura nga Prokuroria Speciale dhe mbrojtja në seancën paraprake. Sa i përket kundërshtimeve për ligjshmërinë e ekzaminimit të telefonave, gjykata vlerësoi se ato janë të ligjshme, duke u bazuar në vendimet e mëhershme të Gjykatës së Apelit.

Po ashtu, u aprovua propozimi i mbrojtjes për pranimin si provë të deklaratës së një dëshmitari, i cili nuk ka mundur të paraqitet në gjykatë për arsye shëndetësore. Prokuroria u obligua që brenda pesë ditëve ta dorëzojë këtë deklaratë.

Gjykata trajtoi edhe ankesat e mbrojtjes për mungesë të shkresave të lëndës. Edhe pse vlerësoi se mbrojtja është pajisur me materialet sipas ligjit, ajo u obligua që deri më 30 mars të specifikojë provat që pretendon se mungojnë. Pas kësaj, Prokuroria do të ketë afat prej tre ditësh për të dhënë qëndrimin e saj.

Në fund të seancës, me propozim të avokates Jovana Filipoviq, gjykata mori aktvendim për ndërprerjen e seancës së sotme. Sipas këtij vendimi, mbrojtja e të akuzuarit Dushan Maksimoviq do të paraqitet në një datë tjetër, për shkak se mbrojtja ka kërkuar kohë shtesë për konsultime më të zgjeruara me të akuzuarin.

Paraprakisht, të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq deklaruan se do të mbrohen në heshtje. Ndërkaq, Dushan Maksimoviq u pajtua me propozimin e mbrojtjes që deklarimin ta japë në një seancë të ardhshme, pasi të njihet me të gjitha shkresat dhe provat, përfshirë videoincizimet.

Gjykata gjithashtu bëri të ditur se do të ndërmarrë veprime për t’i mundësuar mbrojtjes shqyrtimin e provave materiale në Qendrën e Paraburgimit.

Një ditë më parë, në seancën për rastin e “Banjskës”, janë administruar provat materiale.

Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.

Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.

Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.

Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.