`Dy të arrestuar në Prishtinë, Policia kap mbi 2 kg kokainë dhe mijëra euro para të gatshme

Njësia për Reagim të Shpejtë e Policisë së Kosovës në Prishtinë ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar mbi 2 kilogramë kokainë gjatë një kontrolli rutinor të realizuar mbrëmjen e 21 tetorit në kryeqytet.

Sipas njoftimit zyrtar, policia ka ndaluar një veturë me targa të huaja, në të cilën ndodheshin një shtetas kosovar (drejtues i mjetit) dhe një shtetas i huaj (pasagjer).

Gjatë kontrollit, pasagjeri i huaj ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është ndaluar pas reagimit të policisë.

Ai dyshohet se ka rezistuar në mënyrë agresive ndaj zyrtarëve policorë, ndërsa gjatë arrestimit tek i njëjti janë gjetur dy pako të mbështjella me substancë të bardhë të dyshuar si kokainë, me peshë totale 2,270.6 gramë (mbi 2 kilogramë).

Gjatë kontrollit janë sekuestruar edhe:

12,550 euro para të gatshme,

1,000 euro shtesë,

si dhe një telefon mobil.

Në vendngjarje kanë dalë edhe hetues nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ndërsa me urdhër të prokurorit kompetent është kryer kontroll edhe në shtëpinë e shtetasit kosovar, ku nuk është gjetur ndonjë material i dyshimtë.

Të dy të dyshuarit, pas intervistimit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, me urdhër të prokurorit të rastit.