E djathta ekstreme hyn në Qeverinë e Austrisë

Partia Popullore e qendrës së djathtë të Austrisë (OVP) ka arritur marrëveshje me FPO-në e ekstremit të djathtë (Partia e Lirisë) për të formuar qeverinë e koalicionit pas tetë javësh negociata intensive që nga mbajtja e zgjedhjeve në tetor, raporton Anadolu Agency (AA).

Udhëheqësi i ri i OVP-së, Sebastian Kurz dhe kreu i FPO-së, Heinz-Christian Strache, të premten deklaruan se të dy palët ranë dakord mbi një program qeveritar për pesë vitet e ardhshme.

Kurz, 31-vjeçar, i cili do të bëhet kancelari i ardhshëm i Austrisë dhe udhëheqësi më i ri në botë, tha se qeveria e re e koalicionit do të përqendrohet në adresimin e shqetësimeve të qytetarëve dhe do të ndërmarrë hapa për të lehtësuar taksapaguesit, për të përmirësuar sigurinë dhe për të luftuar migracionin e paligjshëm.

“Jemi të lumtur të marrim përgjegjësinë për atdheun tonë të mrekullueshëm dhe të bukur”, tha kreu i ekstremit të djathtë të FPO-së, Strache.

Partia konservatore OVP fitoi zgjedhjet parlamentare më 15 tetor duke fituar 31.6 për qind të votave, por nuk arriti të fitojë shumicën absolute në parlament. Partia antimigratore FPO mori 26 për qind të votave. Media “Daily Die Presse” raportoi se FPO e ekstremit të djathtë do të merrte disa poste kryesore ministrore, duke përfshirë ministrinë e Mbrojtjes dhe ministrin e Brendshëm, sipas marrëveshjes së koalicionit.