Aplikimi i një metode që bënte me turp LSI-së, duke fëlliqur shtetin dhe në fund veten
Nga mënyra se si erdhi në pushtet, kauzat që përdori, vizionin që shpalosi, Rama do duhej të ishte jotolerant në një drejtim: te ndershmëria, te morali. Madje madje, investimi më i madh do duhej të ishte pikërisht aty, pa nevoja milionash. Mjaft që të ndihej me turp, me turp që të njollosej me xanxën e njeriut të korruptuar, në mos ai vetë, pushteti i tij. Nëse do e bënte këtë, do mirëkuptohej edhe nëse shumë aspekte të tjera pushteti e qeverisjeje nuk do shkonin siç duhej. Por që në nisje, ai i vuri minat këtij lloj turpi. E nisi me emërimet në poste, me turlilloj kodoshësh të parasë pos dhe të paaftë. Dhe ajo që ishte turpi më madh i LSI-së vijoji dhe me PS-në: kuotat e detyruara mujore për te shefi i madh. Çdo emërim në poste ku qarkullonin para kishte si kusht këtë: kuotën mujore që duhej të shkonte të i madhi, te shefi i madh, që për shumëkënd ishte vetë kryeministri. Dhe ky u bë rregull pushteti që vijon dhe sot, sepse është vetë gjakimi i pushtetit. Dhe kështu u korruptua gjithçka, aq sa sot është e vështirë ta zhbësh këtë krimbëzim të shtetit. Dhe a mund të thuhet se kjo ishte apo është diç që ai madhi nuk e di, siç naivisht avokohej dikur Enveri duke thënë se nuk e dinte se ç’ndodhte pas krahëve të tij?!
Kur ke prirje të kesh pushtet mbi çdo gjë, do pranosh dhe që je në dijeni të çdo gjëje e nuk ka se si që paskërka ca që “hëngërkan kumbulla” pas teje.
Sepse, kështu ka vepruar Rama: ka legjitimuar korrupsionin edhe si formë motivimi për të mbajtur e punuar për pushtetin, por nga ana tjetër ështe treguar gjasme parimor duke u treguar ballafaqimin me drejtësinë të atyre që kapen duket vjedhur.
Me gjuhë tjetër kjo përkthehet: “Do vidhni, se ndryshe nuk do motivoheni ta mbani pushtetin, por nëse ju kapin, përgjegjësinë mbajeni vetë”.
Nëse e keni vënë re këto ditë, Rama është përpjekur ta sfumojë zemërimin popullor ndaj tij me gjoja shërbimin e duhur që nuk kanë marrë njerëzit nga shteti, për shkak të ca të papërgjegjshmëve, por harron se nëse Shqipërisë kërkon t’i diktosh shijet e tyre në ngjyra, edhe shteti është bërë shëmbëlltyrë e asaj që ti je në thelbin tënd, e asaj që ti ke lejuar e ke diktuar si frymë, si mekanizëm, si moral(të mbrapshtë në këtë rast). Dhe tani prite rezultatin…/tesheshi








