E sotmja e ndërtuar mbi të shkuarën e imagjinuar!

Shumë nga ne që mbahemi për të gjithëdijshëm dhe që i shesim mend botës, historinë tonë dhe atë të të tjerëve, e kemi mësuar nga çiftelitë me dy tela dhe nga romanet e shkrimtarëve që u jargaviten të huajve.

Duke harruar kështu se të vërtetat historike janë brumë i përshtatshëm për veprat artistike, por faktet, e jo veprat artistike, janë lënda e parë e historisë

Andaj shumica nga ne, e njohim ‘historinë e imagjinuar’ për vetveten e për të tjetër, por jo edhe atë të mbështetur në fakte.

E ai që nuk i njeh të vërtetat për të shkuarën e vet, nuk mund të përballet as me të sotmen e tij dhe andaj ai edhe të tashmen e jeton të ‘imagjinuar’, të atillë siç ia shpërfaqin drejtuesit e spektakleve politike.

Dhe të verbëruar nga vetëgënjimi ynë i dyfishtë, neve edhe na ndodh që të mos e shohim, e të mos na pengojë, për shembull, rritja e numrit të të diplomuarve të paditur dhe të patriotëve që e shesin shqiptarinë, pra na ndodh që të mos kemi guximi t’i luftojmë ata që e kriminalizuan të sotmen e ‘Shqipërive’ tona, por të jemi trima të epur në betejat kundër perandorive të vdekura dhe atyre që na ‘lanë’ të prapambetur!

Nga Kim Mehmeti