Edhe Sllovakia miraton përdorimin e certifikatës digjitale

Vladimir Lengvarsky

Certifikata digjitale e BE-së për vaksinimin do të jetë në gjendje të shërbejë si një biletë pranimi për dyqanet dhe kompanitë e shërbimit në Sllovaki.

Parlamenti sllovak krijoi te dielen bazën ligjore për këtë, ku 77 anëtarë të Këshillit Kombëtar votuan pro, 55 kundër dhe një abstenim.

Certifikata ofron informacion në lidhje me një vaksinim të plotë ose një test negativ dhe do të përdoret vetëm në rast se një valë tjetër e infeksioneve të koronavirusit do të çojë në kufizime.

Masa ligjore është shoqëruar nga protesta të ashpra.

Të premten, policia përdori gaz lotsjellës për të parandaluar që qindra aktivistë antivaksinë që të sulmonin ndërtesën e parlamentit. Një polic u plagos.

Ish-kryeministri Pellegrini gjithashtu kritikoi ligjin duke paralajmëruar se ai do të ndajë njerëzit në dy klasa.

Ministri i Shëndetësisë Vladimir Lengvarsky kundërshtoi duke thënë se vetëm një “rrezik minimal” buron nga njerëzit e vaksinuar.

Sllovakia ka pothuajse 5,5 milionë banorë dhe më shumë se 1,9 milion njerëz janë plotësisht të vaksinuar. /atsh