Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Egjipti dhe Katari dënojnë sulmet ndaj Arabisë Saudite

Egjipti dhe Katari dënojnë sulmet ndaj Arabisë Saudite

Egjipti dhe Katari theksuan nevojën për t’i dhënë fund të gjitha armiqësive kundër Arabisë Saudite dhe shprehën solidaritet me mbretërinë, njoftoi sot Ministria e Jashtme e Egjiptit, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të ministrisë thuhet se ky qëndrim u shpreh gjatë një bisede telefonike të zhvilluar të mërkurën në mbrëmje mes ministrit të Jashtëm të Egjiptit, Badr Abdelatty dhe homologut të tij nga Katari, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.

“Biseda u zhvillua në kuadër të komunikimit dhe koordinimit të vazhdueshëm mes dy vendeve vëllazërore për çështje të ndryshme me interes të përbashkët”, thuhet në deklaratë. Dy zyrtarët diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat e bashkëpunimit, përfshirë shkëmbimin e vizitave të nivelit të lartë. Ata vlerësuan përparimin në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe riafirmuan angazhimin për forcimin e mëtejshëm të tyre.

Lidhur me zhvillimet rajonale, zyrtarët diskutuan mbi situatën e fundit dhe ranë dakord për rëndësinë e mbështetjes së përpjekjeve në vazhdim dhe koordinimit të veprimeve për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përhapjes së konfliktit.

Ata theksuan nevojën për t’u dhënë fund të gjitha armiqësive kundër Arabisë Saudite, dënuan ashpër sulmet dhe shprehën solidaritet me mbretërinë. Zyrtarët bënë thirrje për aktivizimin e kanaleve politike dhe diplomatike për zgjidhjen e krizës aktuale dhe forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Biseda u zhvillua në një kohë kur vazhdon përshkallëzimi ushtarak mes Arabisë Saudite dhe grupit Huthi të Jemenit, me sulme me raketa dhe dronë ndaj aeroporteve dhe infrastrukturës kritike në mbretëri gjatë ditëve të fundit.

Që nga 5 tetori, pesë aeroporte saudite janë sulmuar, ku kanë humbur jetën 20 persona dhe qindra të tjerë janë plagosur. Sulmet kanë shkaktuar dëme materiale dhe ndërprerje të trafikut ajror.

Ndërkohë, operacioni ushtarak i njohur si “Agimi i Jemenit” ka vazhduar. Kryetari i Këshillit Presidencial të Udhëheqjes së Jemenit, Rashad al-Alimi tha se operacioni synon rikthimin e institucioneve shtetërore nën kontrollin e tyre, larg Huthive si dhe rimarrjen e kryeqytetit Sana.

Zhvillimet në Jemen janë pjesë e përshkallëzimit ushtarak që nisi në korrik dhe që përbën më të gjerin që nga periudha e qetësisë relative pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga OKB-ja, i cili hyri në fuqi në prill të vitit 2022.

Arabia Saudite udhëheq që nga viti 2015 një koalicion ushtarak në mbështetje të qeverisë së Jemenit të njohur ndërkombëtarisht, kundër Huthive, të cilët kontrollojnë kryeqytetin Sana dhe disa provinca të tjera që nga viti 2014.