Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Protestat përhapen në gjithë vendin, gjimnazistët braktisin mësimin

Protestat përhapen në gjithë vendin, gjimnazistët braktisin mësimin

Qëndrimi sfidues i Edi Ramës rrezikon të thellojë përplasjen me të rinjtë

Protesta studentore në Shqipëri po hyn në ditën e tretë me një shtrirje të re, ndërsa bojkotit të mësimit në universitetet e Tiranës po i bashkohen edhe gjimnazistët.

Pakënaqësia po kapërcen kufijtë e kryeqytetit, duke u shtrirë në Kamëz, Korçë dhe Elbasan, në një moment kur tensionet mbeten të larta pas përplasjeve të dhunshme të dy ditëve të fundit.

Në Korçë, gjimnazistët kanë braktisur mësimin dhe kanë dalë në rrugët e qytetit, duke iu bashkuar protestës kundër qeverisë. Ndonëse tubimi ishte paralajmëruar të niste në orën 11:00, nxënësit kanë vendosur të dalin më herët nga shkollat.

Sipas raportimeve, ata kanë shprehur shqetësimin se mund të pengoheshin të merrnin pjesë në protestë nëse dyert e shkollave mbylleshin gjatë pushimit të madh.

Në Kamëz, gjimnazistët kanë nisur bojkotin e mësimit, duke dalë në rrugë me flamuj dhe thirrje për bashkim. Ata u janë drejtuar edhe bashkëmoshatarëve të tjerë me mesazhin “Të gjithë së bashku!”, në përpjekje për të zgjeruar mobilizimin.

Edhe në Tiranë, bojkoti ka përfshirë disa shkolla të mesme. Nxënësit e gjimnazit “Myslym Keta”, në Kombinat, dhe të gjimnazit “Ismail Qemali” kanë braktisur orët e mësimit për t’iu bashkuar protestës. Këto zhvillime vijnë pas përfshirjes së gjimnazit “Partizani” dhe studentëve të disa fakulteteve universitare.

Në Elbasan, studentët e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” kanë bojkotuar mësimin në shenjë solidariteti me protestën. Lëvizja po merr kështu një karakter më të gjerë, duke përfshirë universitete dhe shkolla të mesme në disa qytete të vendit.

Zgjerimi i protestave vjen pas dy ditësh të shoqëruara me përplasje me policinë, përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe dëmtime të godinave shtetërore e bizneseve në kryeqytet.

Ndërsa të rinjtë po shtojnë presionin në rrugë, qëndrimi sfidues i kryeministrit Edi Rama nuk duket se po ndihmon në uljen e tensioneve.

Përkundrazi, përhapja e bojkotit në shkolla dhe universitete tregon se pakënaqësia po kapërcen kërkesat fillestare për arsimin, duke u shndërruar në një kundërshtim më të gjerë ndaj qeverisjes.

Në ditën e tretë të protestave, pyetja kryesore mbetet nëse kjo valë mobilizimi do të vazhdojë të zgjerohet dhe nëse qeveria do të zgjedhë dialogun apo do të këmbëngulë në përballjen me të rinjtë. /tesheshi