Eleganca si imazh i Islamit

Prof. Driton Arifi

Eleganca, duke qenë se s’mund të jetë tjetër përveçse një shije për dukje të jashtme e të zbukurimit, si hijeshi me dinjitet dhe e përmbushur, e ndoshta edhe si një përmbajtje ndaj një stili estetik në jetë, do të na e mundësojë ta kemi më të lehtë gjykimin për normën e saj, madje edhe për ligjshmërinë e përfshirjes së saj në jetën e besimtarit.

Si për shumë koncepte të tjera, edhe për elegancën myslimanët kanë goxha një përpëlitje idesh, dhe sigurisht edhe një konfuzion hamendës, e që duket se vështirë do t’i vijë fundi. Dilemat ngjallen në mendjet tona, ngase ndiejmë disi një pafuqi për ta ruajtur baraspeshën në mes të dëshirës për devocion e asketizëm fetar në njërën anë, dhe tendencës për elegancë e për imazh të kuruar, në anën tjetër. Ai që ka përkushtim të çekuilibruar fetar, dhe anon më kah çiltërsia e shpirtit, e sheh shmangien nga eleganca si fetarësi e devocion. Rrjedhimisht, është i gatshëm për ta stereotipizuar atë si tipar të ballpërballshëm me thjeshtësinë e modestinë e Islamit. Ironikisht, ajo edhe tingëllon si tundim e ngarendje pas minave të kësaj bote, dhe duket si ndoshta harresë e vendprehjes sonë përfundimtare -Ahiretit.

Megjithatë, një studiues i paanshëm i fesë së Zotit do të gjejë se eleganca dhe estetika janë pjesë e mishëruar e shpirtit, po edhe e praktikës së Islamit. Ajo në thelb është si një simbiozë e bukur dhe pjesë plotësuese e mozaikut mahnitës të normativave të ndryshme të kësaj feje. Dhe, është paradoksale të mendohet se në Islam mund të ketë vetëm ndonjë elegancë të stisur, joreale, e cila do të mund të instrumentalizohej sa për të krijuar imazh joshës për fenë tonë, dhe vetëm kaq. Jo, assesi! Ajo është krejt autentike, e ngjizur dhe e shtresuar thellë në themelet e dinit të Zotit. Atë e gjejmë të kërkuar, madje në shkallë të urdhëresës në disa adhurime e praktika tjera jetësore, e natyrisht në shkallë të preferencës e të sugjeruarës edhe në disa pjesë të tjera. Në adhurimin më kulmor të Islamit-namaz, Allahu kërkoi elegancë, si parapërgatitje të kushtëzuar për ta filluar atë.

Ai në një verset kuranor tha: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje)…! (El Aëraf 31). Veshja e bukur, pedanteria, estetika, pastërtia fizike e, madje edhe parfumimi, nuk janë kërkesa që na drejtohen nga Islami, që t’i marrim parasysh vetëm në raste festash e kremtesh, siç janë ditët e Bajramit, që porsa i lamë pas. Përtej kësaj, ato janë porosi qe, në saje të mundësive, do të duhej të mishëroheshim me to në përditshmërinë tonë, po aq sa është i përditshëm për ne edhe vete namazi ynë. I Dërguari ynë (paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të), me gjithë asketizmin kulmor që e tregonte ndaj të mirave të kësaj bote, megjithatë, rrallë dilte në rrugë pa u parfumuar. Aroma e miskut të tij mbetej edhe pas kalimit të tij, sa edhe kur shokët e tij nuk e shihnin, e nuhatnin parakalimin e tij nga era e miskut që atypari kishte kundërmuar.

Sikur për t’iu përgjigjur dilemave që mund të kenë besimtarët e përkushtuar ndaj çiltërsisë së shpirtit, kur ata e braktisin elegancën fizike, lbën Abasi – Zoti pastë qenë i kënaqur më të, pati thënë: “Ha çfarë të duash, dhe vish çfarë të duash, mirëpo kujdes vetëm nga dy gjëra: teprimin dhe krekosjen-mendjemadhësinë!”. Ibën Ebi Shejbe.

Pikat mbi shkronja i ka vënë edhe lben Umeri – Zoti pastë qenë i kënaqur me të, kur tha: “Nga shenjat e burrërisë së njeriut është edhe pastërtia e petkut të tij”‘. (Adab Esherije, Ibën Muflih)

Thënë shkurt, s’mund të afrohesh te Zoti Fuqiplotë me braktisje e shpërfillje të kodit minimal të elegancës. Ai të do elegant e të përmbushur edhe me tiparet e estetikës. Muhamedi, a.s, Atë e përshkroi duke thënë: “Allahu është i Bukur, dhe e do të bukurën” Sahihu i Muslimit.
Me një gjuhë tejet qortuese dhe më një qasje krejt eksplicite, Zoti Fuqiplotë e mbylli derën që dikush të ndalojë diç të bukur e të këndshme, e të cilën Zoti ua lejoi robërve të Tij. Ai tha: “Thuaj: “Kush i ndaloi bukuritë e Allahut dhe ushqimet e mira që Allahu i krijoi për robërit e Vet?!.

Thuaj: “Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në Ditën e Kiametit janë të posaçme për ta. Kështu ia sqaron argumentet një populli që kupton”. (El Aëraf, 22).

Bukuritë në këtë ajet Krijuesi ia atribuoi Vetvetes. Ai, pra, është Krijuesi dhe burimi i gjithë të bukurës, dhe si të tillë e bëri atë joshëse dhe, sigurisht se pastaj edhe të lejuar për robërit e tij. E, nëse në jetën e kësaj bote, në këto bukuri, janë konkurrentë edhe ata që Zotin e mohuan, atëherë të tillat mbesin ekskluzivitet i besimtarëve në jetën e Përmotshme. E, pra, Islami e ka sinonim edhe elegancën.

Editorial
Dituria Islame 392
Nga: Prof. Driton Arifi