Britma e fundit e maroken Abderrahim Fakir ishte ishte “Ndihmë, mjaft!”
Një burrë bërtet me sa ka fuqi: “Mjaft… ndihmë!”. Është i shtrirë me fytyrë nga toka, ndërsa disa efektivë policie përpiqen ta mbajnë të bllokuar. Pak sekonda më vonë, zëri i tij shuhet.
Kur policët kuptojnë se nuk reagon më, është tepër vonë. Kjo është skena që ka tronditur Italinë dhe që ka hapur një debat të ri mbi kufijtë e përdorimit të forcës nga policia.
Viktima është Abderrahim Fakir, 42 vjeç, shtetas maroken me dokumente të rregullta që jetonte dhe punonte në Itali. Sipas autoriteteve, ai ndodhej në lagjen Pilastro të Bolonjës për të vizituar disa të afërm, kur banorët njoftuan policinë se një burrë po sillej në “mënyrë të çrregullt” pranë disa garazheve.
Kur patrullat mbërritën në vendngjarje, situata u tensionua. Policia pretendon se 42-vjeçari reagoi me dhunë, sulmoi efektivët dhe goditi edhe një automjet policie.
Për ta neutralizuar, oficerët përdorën fillimisht sprej me piper dhe më pas e rrëzuan përtokë, duke e mbajtur për disa minuta me fytyrë nga asfalti, ndërsa i lidhën duart dhe këmbët.
Por pamjet e filmuara nga një banor tregojnë një skenë krejt tjetër nga ajo e një arrestimi rutinë. Fakir dëgjohet vazhdimisht duke kërkuar ndihmë, ndërsa disa persona, mes tyre edhe një civil, ndihmojnë policinë për ta mbajtur të bllokuar.
Pak çaste më vonë ai pushon së lëvizuri. Edhe pse në vendngjarje ndodhej tashmë personeli i urgjencës, në video nuk shihet një ndërhyrje e menjëhershme mjekësore ndërsa ai humbte ndjenjat.
Vdekja e tij ka ndezur zemërimin e familjarëve dhe banorëve të lagjes. Motra e viktimës akuzon drejtpërdrejt policinë. “Na telefonuan vetëm për të na thënë se kishte vdekur. E prangosën dhe u vdiq në duar. E rrahën. Ka dëshmitarë”, deklaroi ajo mes lotësh, duke kërkuar drejtësi.
Në mbrëmje, dhjetëra banorë të Pilastros dolën në protestë, duke brohoritur kundër policisë dhe duke e cilësuar ngjarjen një “vrasje shtetërore”. Situata u qetësua vetëm pas ndërhyrjes së vëllait të viktimës, i cili u bëri thirrje protestuesve të shmangnin përplasjet.
Ndërkohë, Prokuroria e Bolonjës ka nisur hetimet dhe ka sekuestruar pamjet e kamerave trupore të policëve. Edhe Autoriteti Shëndetësor Lokal ka hapur një hetim të brendshëm për të verifikuar nëse janë respektuar procedurat gjatë ndërhyrjes.
Versioni zyrtar i policisë mbetet se efektivët ndërhynë pas kërkesës së banorëve për një person të dhunshëm dhe se ambulanca ishte thirrur menjëherë. Megjithatë, mënyra se si u krye neutralizimi i 42-vjeçarit dhe fakti që ai humbi jetën ndërsa ishte i bllokuar kanë ngritur dyshime serioze.
Senatorja italiane Ilaria Cucchi, e njohur për angazhimin e saj në rastet e dhunës policore, pas vdekjes së vëllait të saj në rrethana të ngjashme disa vite më parë e cilësoi ngjarjen “jashtëzakonisht të rëndë” dhe njoftoi se do të kërkojë një interpelancë parlamentare.
Sipas saj, pamjet të kujtojnë raste të tjera tragjike në Itali, ku persona të ndaluar humbën jetën gjatë arrestimit, ndërsa ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë e të ashtuquajturës asfiksi posturale, një fenomen që mund të ndodhë kur një person mbahet për kohë të gjatë me fytyrë nga toka dhe nën presion fizik.
Përtej përfundimeve që do të nxjerrë drejtësia, vdekja e Abderrahim Fakirit ka ringjallur një debat të dhimbshëm: kur një njeri që bërtet “ndihmë” përfundon i pajetë gjatë një arrestimi, lind pyetja nëse policia po përmbush misionin e saj për të mbrojtur jetën apo po e humbet atë në emër të përdorimit të forcës. \tesheshi





