Emri i Zotit “el-Halik” – Krijuesi

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin fisnik urdhëron e thotë: “Ai është All-llahu, Krijuesi (el-Halik)…” (El Hashr, 24)

Emri i Bukur i Zotit “el-Halik”, Krijuesi, paraqet Atë që krijon çdo gjë, Ai i cili nga ajo që nuk ekziston, jep jetë, jep ekzistencë. Për këtë me këtë emër mund të quhet vetëm All-llahu.

Në Kur’anin fisnik thuhet: “…I lartë është All-llahu, më i miri Krijues!” (El Mu’minunë, 14)

All-llahu i madhërishëm kur fletë për Isain a.s. thotë:

“O Isa, bir i Merjemes, përkujtoj të mirat e Mia ndaj teje dhe ndaj nënës sate, kur të fuqizova me shpirtin e shenjtë (Xhibrilin) e ti u fole njerëzve (kur ishe) në djep dhe (kur ishe) i pjekur (si burrë) Kur ta mësova ty librin e urtësinë me Tevratin e Inxhilin, kur me lejen Time formove nga balta si formë shpeze e i fryve asaj dhe me urdhrin Tim u bë shpezë…” (El Maide, 110)

Por, nëse njeriu krijon diç, ajo ka afatin e caktuar të zgjatjes (takdir), kohën kur është krijuar dhe kohën kur do të përfundoj, sado që ai prodhim të qëndroj.
All-llahu i Madhërishëm është Krijues i vetëekzistencave (Muhteri’ul a’jan), ndërsa njeriu krijon gjërat që kanë vetëekzistëncën, qoftë edhe në botën e idesë, ose fantazisë.

Në kaptinën Alu Imran, All-llahu i madhërishëm përmend fjalët e Isait a.s:

“Unë kam ardhur nga Zoti juaj me argument, unë nga balta ju bëj diç si shpendi, i fryej atij dhe ai me lejen e All-llahut bëhet shpend…” (Ali Imran, 49)

Pra, fjala është për dhuratën e All-llahut ndaj të dërguarve të Tij, a.s. si argument që janë vërtetë të dërguar të Tij, në mënyrë që tu besojnë njerëzit.
All-llahu i Madhërishëm qartë thekson në Kur’an që krijimi i takon vetëm Atij, ndërsa krijesat mund të krijojn diç, me ndihmën e All-llahut nga bota e idesë ta përcjellin në botën reale, dhe që kjo ka afatin e qëndrueshmërisë. All-llahu i dashur thotë:

“Në krijimin e qiejve e të tokës në ndryshimin e natës dhe të ditës ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt” (Ali Imran, 190)

“Në të vërtet ju na erdhët një nga një (të vetmuar) ashtu si ju krijuam së pari; keni lënë prapa shpinës atë që u patëm dhënë…” (El En’amë, 94)

“A ka ndonjë zot tjetër që ju furnizon juve nga qielli e toka? (Fatir, 3)

“Kjo është vepër e krijimit të All-llahut, e më tregoni pra mua se ç’krijuan ata të tjerët pos Tij. Jo, asgjë, pra, idhujtarët janë në një humbje të pafund” (Llukman, 11)

Nuk ka krijues tjetër pos All-llahut të madhërishëm. Në një hadith, Pejgamberi a.s. ka thënë: “All-llahu e krijoi tokën të shtunën. Kodrat dhe malet të dielën. Pemët të hënën. Të pakëndshmet të martën. Dritën e krijoi të mërkurën. Të enjten të gjitha llojet e kafshëve. Ndërsa Ademin e krijoi të premten pas ikindisë, deri në brëmje”. (Transmeton Ebu Hurejre, shënon Muslimi). Andaj e premtja (jeumul xhumu’a) është ditë e madhe. Në hadithin që e transmeton Ebu Hurejre, ndërsa e shënon el-Mutteka el-Hindi, Pejgamberi, a.s. ka thënë: “Vërtet në ditën e xhumasë, ekziston një orë, dhe kush kërkon diç në këtë orë do t’i jepet”.

Mbi të gjitha krijesat, All-llahu i madhërishëm e nderoi njeriun:

“(Zoti) Tha: ‘O Iblis, çka të pengoi ty t’i përulesh atij që Unë vetë e krijova? (Sad, 75)

Duke e falënderuar All-llahun e madhërishëm në të gjitha dhuratat, e sidomos në dhuratën e nderimit mbi të gjitha krijesat, Pejgamberi, a.s. e lexonte këtë lutje: “Sexhede vexh-hi lil-ledhi halakahu ve shek-ka sem’ahu ve besarehu bi kaulihi ve kuv-vetihi fe tebarekall-llahu ahsenul halikin” (Me fëtyrën time i bëjë sexhde Atij që e krijoi dhe që më bëri të dëgjoj dhe të shohë me fuqinë e Tij, qoftë i lavdëruar All-llahu, Krijuesi më i bukur.)
(Shënon Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesai)
All-llahut të Madhërishëm nuk i nevojiten krijesat, të gjithëve na dhuroi jetën nga mirësia dhe mëshira e Tij. Për këtë njeriu duhet ti mënjanoj nga veti të gjitha cilësitë e përbuzura: zilin, lakmin, urrejtjen, kryelartësinë, ashpërsinë etj.
Duhet pasur ndërmend se qëllimi i jetës është adhurimi ndaj All-llahut të Madhërishëm:

“Unë nuk i krijova xhinët dhe njërzit për tjetër pos që të më adhurojnë” (Edh Dharijatë, 56)

Personi që hapë zemrën manifestimit të Emrit të Zotit “Krijues” në vete do të njohë gjurmët e krijimit të Tij. Sa do që njeriu ndihet i vetmuar duhet kuptuar dhe paramenduar që All-llahu i madhërishëm ia ka dhuruar ekzistencën, të përcjellë dhe vëzhgon çdo lëvizje të tij, duke pritur që njeriu të bëjë hapin drejtë Tij.
Njohja e këtij Emri të Zotit (tehakkuk) ndodhë kur njeriu kupton që All-llahu së pari i ka përcaktuar gjërat, çfarë janë, kur do të bëhen, kur do të paraqiten, sa do të jetojnë, kur do të zhduken, kur do të ringjallen, si do të jetë fundi i tyre, e më pastaj çdo sendi i ka dhuruar jetë dhe ekzistencë (vuxhud).
Zbukurimi me cilësitë e këtij Emri të Bukur (tehal-luk) ndodhë në atë mënyrë që personi shprehë në vete reflekset e krijimit të All-llahut, të njohë renditjen e çdo sendi (takdir), duke kuptuar ekzistencën, dhe sjelljen e secilit send. Në këtë kontekst duhet kuptuar Fjalët e All-llahut të Madhërishëm:

“Kush bën mirë, ai e ka për vete, e kush bën keq, ai vepron kundër vetës, e, Zoti yt nuk bën padrejtë ndaj robërve” (Fussilet, 46)

Njohësi i vërtetë (arif), i këtij Emri të Zotit, gjithnjë e përkujton që ai dhe secili njeri tjetër është i krijuar nga embrioni në etapa të ndryshme, andaj ajo që është me rëndësi është shkalla e sinqeritetit të adhurimit ndaj All-llahut. Imam Kushejriu tregon këtë ndodhi: “Isha me Shibliun dhe duke ecur ai hapi një peshqir të bukur. Pasi kaluam praën një qeni të ngordhur, Shibliu më tha: “Mbështelle me këtë peshqir këtë qenë dhe varrose” Pasi e varrosa qenin, peshqirin e lava dhe u ktheva te Shibiu i cili më tha: “A veprove ashtu si të thash?” “Jo” u përgjigja. Pasi ai nuk foli unë e pyeta pse më kishte urdhëruar të veproj ashtu? Atëher u përgjigj: “Kur kalova praën atij qeni të ngordhur ndjeva neveritje. Atëherë nga fshehtësia e zemrës ndjeva një zë: “A nuk e kemi krijuar Ne?” Andaj të urdhërova të veprosh ashtu, si kefaret (kompenzim) për mendimet e këqija që më erdhën duke parë coftinën.
Gjithashtu Imam Kushejriu tregon një ndodhi nga Muhammedi a.s.: “All-llahu e mëshiroftë vllaun tim Nuhun, i cili kishte qajtur aq shumë për një mëkat, sa që nga All-llahu i Madhërishëm i erdhi shpallja: “Nuh, sa shumë qanë (tenuh). Kështu u quajt Nuh”. Njëri prej të pranishmëve pyeti: “I Dërguar i All-llahut, cili ishte mëkati i tij?” Muhammedi a.s. u përgjigj: “Kaloi pranë një qeni dhe tha me vete: “Sa i keq qenka! Atëherë All-llahu i shpalli: “A thua krijimi yt është më i bukur se i këtij?!”
H. Fejzullah ef. ka thënë: “Kush e përmend këtë Emër, gjatë natës (pa caktim), zemra dhe fytyra do t’i ndriçojnë”.
Dr. Abdul Halim Mahmudi ka thënë: “Kush ka humbur një gjë me vlerë, ose ka humbur fëmiun, e lexon këtë Emër pesë mijë herë, do ti kthehet gjëja e humbur me dëshirë ose me dhunë”.

All-llahu i dashur e di më së miri!”

Përgatiti: Prim.dr.med.sc. Ali F.Iljazi (r.a)