Ballina Lajmet Kosovë Epopeja e Dukagjinit, Haxhiu: Gllogjani u rrethua me qëllimin që të shuhet...

Epopeja e Dukagjinit, Haxhiu: Gllogjani u rrethua me qëllimin që të shuhet një vatër e rezistencës sonë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit në Gllogjan të Deçanit.

Ajo tha se para 28 viteve, Gllogjani u rrethua me qëllimin që të shuhet një vatër e rezistencës, por sipas saj, ndodhi e kundërta.

“Para 28 viteve, Gllogjani u rrethua me qëllimin që të shuhet një vatër e rezistencës sonë. Por ndodhi pikërisht e kundërta. Familja Haradinaj, së bashku me luftëtarët tjerë të lirisë, me kontributin e tyre e çanë rrethimin dhe dëshmuan se përpjekja për liri as nuk rrethohet, as nuk ndalet dhe as nuk thyhet. Sot nderojmë Gazmend Mehmetajn, Agron Mehmetajn dhe Him Haradinajn. Kujtojmë dhimbjen e familjeve të tyre dhe popullit të Kosovës, sikurse edhe lartësojmë veprën e tyre sublime. Sot këtu, i falënderohemi me përulësi secilit dhe secilës ushtare të lirisë që me kontributin e tyre e çliruan vendin tonë dhe bënë që sot ne të jetojmë të lirë në një shtet të pavarur. Lavdi dëshmorëve të kombit, lavdi martirëve”, tha ajo.

Sot janë bërë 28 vjet nga zhvillimi i betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan, e njohur si “Epopeja e Dukagjinit”, e zhvilluar më 24 mars 1998.

Në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale mes UÇK-së dhe forcave serbe, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin.

Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.