Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, akuzoi regjimin e presidentit sirian Bashar Al-Asad për sulmin ndaj kontingjentit humanitar në Halep, si dhe për pamundësinë e mbajtjes së armëpushimit në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan, i cili me rastin e mbajtjes së Asamblesë së 71-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara qëndron në New York, ishte i ftuar në televizionin MSNBC dhe iu përgjigj pyetjeve lidhur me situatën dhe ngjarjet aktuale.
Pyetjes “Nëse armëpushimi në Siri ka përfunduar”, ai iu përgjigj: “Për fat të keq ashtu është. Armëpushimi në Siri ka lindur i vdekur”, dhe shtoi se gjithmonë shpreson se nga negociatat amerikano-ruse do të ketë një shans për armëpushim të ri. “Për sulmin në kontingjentin humanitar në Halep përgjegjës është personalisht Asadi. Në këtë sulm edhe njëherë e kemi parë se çfarë karakteri ka regjimi i Asadit”, tha Erdoğan.
I pyetur nëse mes SHBA-ve dhe Rusisë ekziston projekti i procesit i transicionit politik në të cilin përfshihet edhe Asadi, Erdoğan u përgjigj se gjatë sundimit të Asadit kanë humbur jetën 600 mijë persona, dhe se mbajtja e Asadit mbi Sirinë paraqet mosrespekt ndaj njerëzve që kanë humbur jetën.
Lidhur me tentativën për grusht shteti më 15 korrik nga organizata terroriste FETO, Erdoğan tha se “demokracia në Turqi u shpëtua falë guximit dhe përpjekjeve të popullit”.
Ai shtoi se Turqia me shumë vendosmëri pret që lideri i organizatës terroriste FETO Fetullah Gulen të ekstradohet në vendin e tij.
Duke folur për zgjedhjet presidenciale në SHBA të cilat do të mbahen më tetë nëntor, Erdoğan ndaj pyetjes se kë do të dëshironte ta shihte në pozitën presidenciale, u përgjigj: “Zgjedhja më e mirë për mua është ajo që dëshiron dhe zgjedh populli amerikan. Zgjedhja e popullit amerikan është zgjedhja më e duhur. Demokracia është më e rëndësishme se gjithçka.”