Erdoğan dhe Putin dakordohen që takimi i ardhshëm i negociatave Rusi-Ukrainë të mbahet në Stamboll

Presidenti Erdoğan ka vënë theksin mbi nevojën për vendosjen sa më parë të armëpushimit dhe paqes mes Rusisë dhe Ukrainës si dhe përmirësimin e situatës humanitare në rajon

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate nga Drejtoria e komunikimeve të Presidencës turke thuhet se në bisedë u diskutua situata e fundit në luftën Rusi-Ukrainë dhe proceset e negociatave.

Presidenti Erdoğan ka vënë theksin mbi nevojën për vendosjen sa më parë të armëpushimit dhe paqes mes Rusisë dhe Ukrainës si dhe përmirësimin e situatës humanitare në rajon. Gjithashtu Erdoğan ka theksuar se Turqia do të vazhdojë të japë çdo kontribut në këtë proces.

Erdoğan dhe Putin kanë rënë dakord që takimi i ardhshëm i delegacioneve negociuese të Rusisë dhe Ukrainës të mbahet në Stamboll. /aa