Erdogan dhe Putin diskutuan për Karabakun dhe Sirinë

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Sipas shërbimit për shtyp të Kremlinit, udhëheqësit diskutuan rifillimin e fluturimeve midis Turqisë dhe Rusisë, si dhe fillimin e furnizimeve në Turqi të vaksinës ruse kundër llojit të ri të koronavirusit “Sputnik V”.

Krerët e shteteve shkëmbyen gjithashtu mendime mbi gjendjen e marrëdhënieve dypalëshe, situatën në Karabakun Malor dhe Siri.

“Një vlerësim pozitiv iu bë [gjatë bisedës telefonike] punës së Qendrës së Përbashkët Ruso-Turke për Kontrollin e Armëpushimit dhe Operacioneve Ushtarake. Presidenti i Turqisë shprehu mbështetjen për përpjekjet ruse për të siguruar zbatimin e plotë të marrëveshjeve të përfshira në Deklaratat e udhëheqësve të Rusisë, Armenisë dhe Azerbajxhanit të datës 9 nëntor 2020 dhe 11 janar 2021. U konfirmua gatishmëria e ndërsjellë për të vazhduar koordinimin, përfshirë interesat e zhvillimit ekonomik dhe restaurimin e infrastrukturës së transportit të rajonit”, thuhet në vijim të komunikatës së Kremlinit.

Gjithashtu të dy liderët biseduan edhe çështjet lidhur me zgjidhjen e krizës siriane. U theksua “rëndësia e aktiviteteve të përbashkëta të ushtrisë së Rusisë dhe Turqisë, që synojnë parandalimin e përshkallëzimit të tensioneve në Idlib dhe në veri-lindje të vendit, duke luftuar grupet e mbetura terroriste në këto zona”

Vladimir Putin gjithashtu ndau me Presidentin Erdoan përshtypjet e tij për takimin e fundit në Gjenevë me Presidentin e SHBA, Joseph Biden.

“Është rënë dakord për të vazhduar kontaktet personale dhe punën e përbashkët në nivele të tjera,” shtoi shërbimi për shtyp i Kremlinit. /trt