Erdoğan: Do të vazhdojmë të punojmë me Kazakistanin për të përforcuar lidhjet tona

Turqia do të vazhdojë të mbështesë integritetin territorial, stabilitetin dhe paqen e Kazakistanit, tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim stabilitetin, paqen, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit vëlla Kazakistanit, i cili ka një sfond të thellë historik dhe përvojë shtetërore”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij kazak Kassym-Jomart Tokayev në kryeqytetin Astana.

Dy presidentët zhvilluan bisedime kokë më kokë dhe takime mes delegacionesh për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet ndërkombëtare. Erdoğan dhe Tokayev gjithashtu bashkëkryesuan takimin e katërt të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë Turqi-Kazakistan për të përmirësuar lidhjet politike, ekonomike, kulturore dhe të mbrojtjes.

Erdoğan tha se me homologun e tij vlerësuan “marrëdhëniet e shkëlqyera” midis dy vendeve.

Ai shtoi se Ankaraja dhe Astana do të vazhdojnë të punojnë për të forcuar lidhjet në fushat e transportit, energjisë dhe tregtisë.

“Nivelin prej 5 miliardë dollarësh në vëllimin tregtar me Kazakistanin e tejkaluam vitin e kaluar. Po ecim me hapa të sigurt drejt synimit tonë prej 10 miliardë dollarësh në afat të mesëm”, theksoi Erdoğan.

Presidenti turk u nderua gjithashtu me Urdhrin e Miqësisë nga Tokayev.