Erdoğan: Marrëveshja e drithit do t’u japë përparësi vendeve afrikane në nevojë

Marrëveshja e drithit e ndërmjetësuar nga Turqia do t’u japë përparësi vendeve afrikane në nevojë, siç është rënë dakord me presidentin rus Vladimir Putin, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Situata në Xhibuti, Somali dhe Sudan nuk është aspak e mirë. Nëse ka ndonjë problem në ndonjë vend tjetër më pak të zhvilluar, ne do të kryejmë dërgesa në këto vende”, tha Erdoğan gjatë një interviste të drejtpërdrejtë të transmetuar së bashku nga ATV, A Haber, A News dhe A Para.

Lideri rus dhe ai ukrainas iu afruan Turqisë “pozitivisht” për çështjen e eksportit të drithit, tha presidenti turk Erdoğan, duke shtuar: “Ne u përgjigjemi atyre pozitivisht”.

Më 22 korrik, Turqia , OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithit në Detin e Zi, të cilat u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt.

Të shtunën, Rusia njoftoi pezullimin e pjesëmarrjes së saj në marrëveshje për shkak të asaj që pretendonte se ishte një sulm ukrainas në flotën e saj të Detit të Zi në portin e Sevastopolit.

Më herët të mërkuren, Turqia dhe Rusia njoftuan kthimin e Moskës në zbatimin e marrëveshjes së drithit pas ndërmjetësimit të Ankarasë dhe OKB-së.

Me 110 miliardë metra kub të tjera gaz natyror, sasia totale e rezervave të zbuluara në Detin e Zi arrin në 650 miliardë metra kub, tha presidenti turk Erdoğan.

Greqia duhet të ‘të vijë në vete’, tha presidenti Erdoğan, duke shtuar se ata gjithashtu duhet të kuptojnë se me provokime nuk do të arrijnë askund.

Politikat e fundit të Greqisë ndaj Turqisë janë ‘të papranueshme’, tha presidenti Erdoğan, duke shtuar se ‘Ankaraja nuk do të qëndrojë e heshtur’.