Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Ankaraja është e vendosur të forcojë marrëveshjen e drithërave të Stambollit dhe të transportojë drithëra dhe plehra ruse në vendet e pa zhvilluara, raporton Anadolu Agency (AA).
Deklaratat e presidentit Erdoğan erdhën në një takim dypalësh me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në margjinat e samitit të gjashtë të Konferencës për Ndërveprimin dhe Masat e Ndërtimit të Besimit në Azi (CICA) në kryeqytetin Astana të Kazakistanit, takim i cili zgjati një orë e gjysmë.
“Ne jemi të vendosur të forcojmë dhe të vazhdojmë eksportet e drithërave nën marrëveshjen e Istanbul-it dhe transferimin e drithërave dhe plehrave bujqësore ruse nëpërmjet Turqisë drejt vendeve më pak të zhvilluara. Ne mund të punojmë në përcaktimin e emrave të vendeve. Është e rëndësishme që të fokusohemi në vendet e varfra dhe jo në vendet e zhvilluara”, tha presidenti Erdoğan.
Më 22 korrik, Turqia, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi, që u ndërprenë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt.
“Besoj se hapat që do të ndërmarrin Turqia dhe Rusia në këtë proces do të shqetësojnë disa vende, por do t’i bëjnë të lumtur vendet e pa zhvilluara”, tha Erdoğan.
Më tej, Erdoğan tha se ndërtimi i termocentralit bërthamor ‘Akkuyu’ në provincën jugore turke është një hap “shumë i rëndësishëm”. Ai shtoi se hapja e reaktorit të parë pritet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.
I gjithë termocentrali bërthamor ‘Akkuyu’ është vendosur të jetë funksional deri në vitin 2025. Projekti filloi me një marrëveshje ndërqeveritare të vitit 2010 midis Türkiye-s dhe Rusisë.
Presidenti Erdoğan po ashtu theksoi se ai më herët diskutoi një plan me presidentin Putin për të ndërtuar një stacion të ri bërthamor në provincën Sinop të Turqisë në Detin e Zi.
Presidenti turk tha se shpreson të takohet sërish me presidentin rus në margjinat e një samiti në Samarkand të Uzbekistanit.
“Ne kemi një mundësi të takohemi përsëri në Samarkand. Nëse vini edhe ju, ne do të mund të takohemi atje përsëri”, shtoi ai.
Samarkandi në muajin nëntor do të organizojë një samit të Organizatës së Shteteve Turke.
Asya’da İş Birliği ve Güven Artırıcı Önlemler Konferansı 6. Zirvesihttps://t.co/LWthuI8ckB
— Recep Tayyip Erdoğan (@RTErdogan) October 13, 2022
