Erdoğan: Turqia nuk do të lejojë kurrë struktura terroriste në veri të Irakut dhe Sirisë

Turqia do të parandalojë shfaqjen e “strukturave terroriste” përgjatë kufijve të saj jugorë, deklaroi të shtunën presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.

“Pavarësisht kostos, Turqia nuk do të lejojë praninë e një organizate terroriste në veri të Irakut ose në veri të Sirisë”, tha Erdoğan në një aktivitet në metropolin e Istanbulit.

Deklaratat e tij erdhën pasi gjashtë ushtarë turq u vranë dhe një u plagos në një sulm terrorist pranë kufirit verior të Irakut të premten.

Terroristët e PKK-së shpesh fshihen përtej kufirit në veri të Irakut për të planifikuar sulme terroriste në Turqi.

Duke shprehur ngushëllimet e tij për ushtarët e rënë, Erdoğan njoftoi se që nga sulmi, 12 terroristë janë neutralizuar në zonën e operacionit turk në veri të Irakut si dhe në veri të Sirisë.

“Gjithsej 12 terroristë janë neutralizuar brenda zonës së operacionit ‘Kthetra’ dhe në veri të Sirisë deri më tani”, tha Erdoğan.

PKK është një organizatë separatiste e listuar si grup terrorist në Turqi, BE dhe SHBA. Gjatë fushatës terroriste disa dekadashe kundër Turqisë, terroristët e PKK-së vranë të paktën 40 mijë njerëz.