Erdoğan: Turqia nuk do të lejojë që politika e saj të drejtohet nga kopertinat e revistave

Turqia nuk do të lejojë që politika e saj të dirigjohet nga kopertinat e revistave, tha presidenti Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu.

“Ne nuk do të lejojmë që politika jonë e brendshme të dirigjohet dhe vullneti kombëtar të lëkundet nga kopertinat e revistave, të cilat janë aparati operacional i fuqive globale”, shkroi Erdoğan në Twitter.

Komentet e Erdoğanit erdhën pasi revista britanike “The Economist” shënjestroi presidentin turk me një kopertinë ku shkruhej: “Shpëtoni demokracinë”; “Erdoğan duhet të shkojë”; “Votoni!”.

Në Turqi, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të zhvillohen më 14 maj.

Ndërkaq, në lidhje me politikën e jashtme të Turqisë, presidenti tha se me përpjekjet e diplomatëve turq, vendi ka zbatuar një politikë “të vetëbesimit, sipërmarrëse dhe humanitare”.

“Duke rritur numrin e përfaqësuesve tanë të huaj nga 163 në 260, ne u bëmë një nga pesë vendet me rrjetin më të madh diplomatik në botë”, shtoi ai.

Turqia qëndron pranë vëllezërve me të gjitha mjetet kur është e nevojshme, si në Libi, Siri dhe Karabak, i cili u çlirua pas 30 vjetësh pushtimi armen, theksoi Erdoğan, duke shtuar se Ankaraja kontribuon në zgjidhjen e krizave rajonale përmes marrëveshjes së drithit të Detit të Zi.

“Si shtet historia e të cilit është e mbushur me fitore të lavdishme, ne po vijmë në vendin që meritojmë në sistemin ndërkombëtar”, tha Erdoğan.

“Shpresojmë, me Shekullin e Turqisë, ne do t’i çojmë të gjitha këto arritje diplomatike në majat më të larta”, shtoi presidenti Erdoğan.