Erdoğan: Zgjatja e luftës Rusi-Ukrainë do të rrisë rreziqet, duhet të ringjallen bisedimet diplomatike

Presidenti Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës turke, në bisedë u diskutuan çështjet rajonale, veçanërisht marrëdhëniet Turqi-Rusi dhe zhvillimet rreth korridorit të drithit.

Gjatë bisedës, Erdoğan ka falënderuar presidentin rus Putin për qëndrimin e tij konstruktiv në lidhje me zgjatjen 120-ditore të Marrëveshjes së Istanbulit për eksportet e drithërave.

Duke thënë se zgjatja e luftës Rusi-Ukrainë do të rrisë rreziqet dhe për këtë arsye bisedimet diplomatike duhet të ringjallen, Erdoğan tha se kontaktet e shefave të inteligjencës ruse dhe amerikane në Turqi luajnë rol kyç në parandalimin e një përshkallëzimi të pakontrolluar në terren.

Duke shprehur kënaqësi për propozimin e presidentit rus Putin për krijimin e një qendre gazi natyror në Turqi, Erdoğan ka theksuar se ekipet do të bëjnë vlerësimet e nevojshme teknike, ligjore dhe tregtare për të arritur qëllimet e përbashkëta sa më shpejt të jetë e mundur.

Presidenti Erdoğan gjithashtu ka falënderuar homologun rus për ngushëllimet e tij për sulmin terrorist të së dielës në Istanbul.