Presidenti Recep Tayyip Erdogan mori pjesë në Forumin e Biznesit Turqi-Senegal në ndalesën e dytë të turneut të tij në Afrikë.
I ndodhur në Senegal për një vizitë zyrtare, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) mbajti një fjalim në Forumin e Biznesit Turqi-Senegal.
Duke u shprehur se Turqia dhe Senegali kanë qenë gjithmonë shumë të afërt pavarësisht distancës fizike mes tyre, Erdoani tha se janë të kënaqur me rrjedhën e shkëlqyer të marrëdhënieve me Senegalin, i cili është i një vend me rëndësi kyçe në Afrikën Perëndimore.
Presidenti theksoi se kompanitë kontraktore turke kanë realizuar projekte mjaft të suksesshme në të gjitha anët e kontinentit afrikan me gjithë vështirësitë, ndërsa shtoi se këto projekte kanë dhënë kontribute të rëndësishme në rimëkëmbjen dhe zhvillimin e mundësive infrastrukturore duke mbështetur punësimin lokal.
Duke thënë se janë krenarë që kompanitë turke luajnë një rol aktiv, veçanërisht në “Planin e Senegalit në zhvillim”, Erdoani kujtoi se këto kompani kanë përfunduar me sukses projekte të rëndësishme si: Aeroporti i Dakarit, Kompleksi Sportiv Dakar, Qendra e Panaireve të Dakarit dhe tregu ndërkombëtar dhe flota e kamionëve.
“Duke u nisur nga fakti që mijëvjeçari i tretë do të jetë epoka afrikane, ne duhet t’i mbajmë të forta përgatitjet tona. Ne u propozojmë vëllezërve tanë afrikanë që ta ndërtojmë të ardhmen së bashku në dritën e përvojave tona të përbashkëta”, nënvizoi udhëheqësi turk.
Pas Forumit të Biznesit, presidenti Erdoan dhe presidenti senegalez Macky Sall zhvilluan një takim të veçantë në Pallatin Presidencial. Më pas u nënshkruan 5 marrëveshje mes dy vendeve në prani të liderëve. /trt








