Evropa do ta ndihmojë Ukrainën me armë dhe avionë luftarakë

Bashkimi Evropian ra dakord të dielën të rrisë ndihmën për Ukrainën në mes të ndërhyrjes së Rusisë, me ministrat e jashtëm të bllokut që ranë dakord unanimisht të shpenzojnë qindra-miliona euro për të blerë armë për vendin.

Duke folur në një konferencë shtypi pas një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtëm të Unionit, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, bëri deklarata mbi hapat që duhet të ndërmerren nga Unioni në mes të konfliktit ndërmjet Ukrainës e Rusisë.

“Ne kemi vendosur të përdorim kapacitetet tona për të ofruar armë vdekjeprurëse, ndihmë vdekjeprurëse, për ushtrinë ukrainase me një vlerë prej 450 milionë eurosh (502 milionë dollarë) në një paketë mbështetëse, si dhe 50 milionë euro (56 milionë dollarë) për furnizime jovdekjeprurëse të tilla si karburant, (dhe) pajisje mbrojtëse”, tha ai.

“BE-ja do të sigurojë për Ukrainën jo vetëm municione, por madje dhe avionë luftarakë, duke shtuar se ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, po kërkon avionë luftarakë që mund të operohen nga ushtria ukrainase dhe disa shtete anëtare të Unionit i zotërojnë këta lloj avionësh.

Ai më tej vuri në pah se BE-ja do të zgjerojë gjithashtu listën e personave dhe entiteteve që do t’i nënshtrohen masave kufizuese, duke përfshirë oligarkë e biznesmenë rusë, si dhe figura politike që luajnë role kyçe në sistemin politik të Rusisë.

“Ne po heqim disa banka ruse nga Shoqëria për Telekomunikacionin Financiar Ndërbankar Botëror (SWIFT) dhe do të zbatojmë masa kufizuese që do të paralizojnë asetet e Bankës Qendrore të Rusisë. Me këtë masë do të ngrijë gjysma e rezervave të Bankës Qendrore Ruse”, u shpreh shefi i diplomacisë evropiane.

Duke shpjeguar se rezervat e përmendura ndodhen në vendet e G7-s, Josep Borrell tha se kjo do të ketë një ndikim shumë negativ në sistemin financiar rus.

“Ne kemi frikë se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë dhe influenca ruse mund të nisë të funksionojë në vendet fqinje si Moldavia e Gjeorgjia dhe gjithashtu do të ketë një impakt në Ballkanin Perëndimor. Kështu që ne duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje asaj që po ndodh atje”, tha ai.

Presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi një “operacion ushtarak special” në Ukrainë të enjten e kaluar (24 shkurt 2022), vetëm disa ditë pasi njohu dy rajonet e kontrolluara nga separatistët prorusë në pjesën lindore të Ukrainës. Ai pretendoi se Moska nuk ka në plan ta pushtojë fqinjin e saj, por synon ta “çmilitarizojë” Ukrainën dhe të “pastrojë neonazistët” e atjeshëm.

Si përgjigje, fuqitë perëndimore vendosën sanksione financiare ndaj Moskës, ndërsa BE-ja vendosi të financojë furnizimet me armë për Ukrainën, të mbyllë hapësirën e saj ajrore për linjat ajrore ruse dhe të ndalojë mediat shtetërore ruse.

Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), të paktën 368 mijë ukrainas janë larguar nga vendi që nga fillimi i ndërhyrjes ushtarake ruse. /trt