Evropianët dakord për bashkëpunim me BM kundër trafikimit të emigrantëve në La Mansh

Katër ditë pas fundosjes vdekjeprurëse në La Mansh, pjesëmarrësit evropianë në një takim urgjent ranë dakord të përmirësojnë bashkëpunimin me Britaninë e Madhe, pavarësisht mungesës së britanikëve, mes tensioneve të vazhdueshme midis Londrës dhe Parisit.

Takimi u zhvillua si reagim ndaj dramës më të keqe migratore që ka ndodhur në detin që ndan Francën nga BM, që u mori jetën të paktën 27 emigrantëve, të mërkurën.

“Këto vdekje janë shumë të shumta dhe nuk mund të pranojmë që të vdesin të tjerë”, deklaroi në hapjen e takimit ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin.

Në takim morën pjesë ministrat ose zyrtarët përgjegjës për Emigracionin nga Gjermania, Holanda dhe Belgjika, eurokomisionerja për Punët e Brendshme dhe drejtorët e agjencive evropiane të policisë kriminale, Europol dhe të kufijve, Frontex.

Në një deklaratë të përbashkët, pjesëmarrësit “riafirmuan angazhimin e tyre për të bërë gjithçka që është e mundur për të luftuar në mënyrë më efikase kundër rrjeteve kriminale të kontrabandistëve” dhe pranuan nevojën “për të përmirësuar bashkëpunimin me Britaninë e Madhe”. /atsh