Facebook përdoret nga 2 miliardë njerëz çdo ditë

Meta vijon të humbasë para me investimet në metaverse.

Pas 20 vitesh Facebook vazhdon ende të rritet. Rrjeti social tashmë numëron 2 miliardë përdorues aktivë në ditë raportoi Meta.

Në tre mujorin e fundit Facebook shtoi edhe 16 milionë përdorues aktivë në ditë për të arritur objektivin madhor.

Edhe pse Facebook nuk është platforma e parë e Meta që arrin këtë numër përdoruesish, është burimi kryesor i të ardhurave të kompanisë. Kujtojmë se WhatsApp së fundi kapërceu 2 miliardë përdorues aktivë në ditë.

CEO Mark Zuckerberg foli edhe për planet e ristrukturimit të kompanisë dhe eliminimin e 11 mijë vendeve të punës duke deklaruar 2023 si viti i efikasitetit.

Edhe pse të ardhurat e Meta janë tkurrur këtë vit, të ardhurat në tre mujorin e fundit të 2022 ishin 32.2 miliardë dollarë.

Por Meta vijon të humbasë para me investimet në metaverse. Reality Labs, divizioni që mbikëqyr operacionet VR, AR dhe metaverse të kompanisë, humbi 4.3 miliardë dollarë në tre mujorin e fundit të 2022 dhe 14 miliardë dollarë përgjatë vitit që lamë pas.

Vetë kompania është shprehur se Reality Labs do të vijojë të humbasë para përgjatë 2023. /PCWorld Albanian