Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, ka përcjellur edhe njëherë mesazhin e BE se Kosova duhet të ratifikojë demarkacion me Malin e Zi dhe të hapet rruga e liberalizimit të vizave.
Fajon nga Prishtina sot ka përgëzuar popullin e Kosovës me rastin e shënimit të 9-vjetorit të Pavarësisë,e cila po merr pjesë në Samitin e Komisioneve për Punë të Jashtme të parlamenteve të shteteve të Evropës që po mbahet në Prishtinë.
Fajon tha se Kosova ka pasur progres të madh viteve të fundit. Ajo tha se hyrja në MSA ka qenë arritje e rëndësishme, duke përmendur po ashtu rëndësinë që ka për vendin agjenda evropiane për reforma. “Duhet të implemtohet dhe agjenda dhe do ta bëjë Kosovën më të fuqishme dhe më të sigurt për të jetuar. Është e rëndësishme të përfundojmë procesin e liberalizimit. Jemi të përkushtuar që këtë ta bëjmë realitet”, tha eurodeputetja Fajon.
Ndërkohë ajo lavdëroj se Kosova ka bërë progres domethënës në luftën kundër korrupsionit, që është proces që ka ecur mirë dhe duhet të punohet më tutje.
“Dua të iu ofroj mbështetje për demarkacionin. I ftoj parlamentarët dhe iu lutem që mos t’i stoponi proceset dhe liberalizimin e vizave për interesa partiake. Duhet bëhet çfarë është e mundur për ta ratifikuar marrëveshjen në ditët e ardhshme. Tani ju e keni radhën”, ka dhënë porosinë e saj Fajon, drejtuar partive parlamentare në Kosovë.
Nga ana tjetër, eurodeputetja në fjalën e saj në Samitin e komisioneve për Punë të Jashtme që po mbahet në Prishtinë, tha se Kosova dhe Serbia duhet ta vazhdojnë dialogun edhe më tutje.
Tanja Fajon momentet që po i kalon Bashkimi Evropian i ka quajtur si kohë të sfidave të mëdha.
“Jemi duke kaluar nga një krizë në një krizë tjetër. Në këtë situatë kemi shumë sfida dhe ne duhet të jemi më të fuqishëm se më parë. Asnjë vend në BE nuk mund të ballafaqohet me këto sfida vetëm. Për zgjerimin e BE-së na nevojitet ndihma e njëri tjetrit”, ka thënë Fajon.
Në këtë samit po marrin pjesë përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe të parlamenteve të shteteve të ndryshme evropiane, drejtues të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë dhe institucioneve vendore.
Panelistët dhe pjesëmarrësit e tjerë do të diskutojnë për perspektivat e zgjerimit të BE-së, përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit në rrugën drejt integrimeve në organizatat ndërkombëtare, për krizën e emigracionit, si dhe për luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit në rajon.
Në fund, pritet të nxirren konkluzionet dhe një deklaratë e përbashkët.