Fajtor nuk jam unë, fajtori je ti…

Shpesh na ndodh që të marrim lapsin në dorë dhe t’ia hedhim valles. Mes rreshtave, qendisim shkronja. E me to, shprehim ndjenja e emocionet tona. Pra, shprehim gëzim e lumturi. Sikur të ishim ndonjë sorkadhe me sy të zi, që bredh fusha e male pa ndjerë frikë e pa ndjerë mërzi.

E shpesh na ndodh që të marrim lapsin kur kemi mërzi. Të varrosim shkronjat nën rreshtat e zi. Të shprehim mllef e të ndjellim kobin e zi.

E lapsi prap mbetet laps por, fajtor jemi unë edhe ti. Ngase lapsin e kemi burgosur në një qeli. Në qeli të zemrës e kemi prangu, e në dorën tonë e kemi robëru.

Pra, lapsi shkruan atë që urdhërohet të shkruaj pa zgjedhur e pa menduar. Se për të robëruarin, mendja e zemra janë të cunguara.

Ngjashëm me lapsin është edhe bota ku jemi duke jetuar. Për dikë në mjaltë e për dikë në helm, katran të zi. Është gjykimi ynë për këtë botë. Botë që jetojmë unë edhe ti.

Po bota nuk ka faj, kjo botë është për mbarë njerëzinë. Po jemi ne ata që e gjykojmë. Një ditë bardh e një ditë zi, siç ne ndjehemi e siç ne mendojmë.

Pra, mos fajëso as botë, as kohë, e as njerëzi. Shiko veten, shiko gjendjen në të cilën ndodhesh ti…?

Fajtor nuk jam unë, fajtor je ti…

Nga: Artan Musliu