Faktohen vrasjet masive të sirianëve nga agjentët e Assadit

“Djali ynë dhe këta njerëz nuk do të kthehen më, Zoti i mëshiroftë shpirtrat e tyre, ky është një grup i madh, jo një apo dy, ka pasur një plan, ka pasur urdhra, kamioni erdhi dhe hapi një gropë dhe mblodhi njerëzit. Kishte urdhra nga lart”, ka thënë Omar Siyam, të cilit iu ekzekutua i biri në vrasjen masive në kryeqytet

Një xhirim i para nëntë vjetëve, i kontrabanduar nga Siria, shfaq agjentët e inteligjencës ushtarake të vendit duke vrarë dhjetëra njerëz dhe duke i hedhur trupat e tyre në një gropë.

Hazem Youness, studiues me bazë në Suedi që monitoron krimet e luftës të kryera në Siri, ka identifikuar 13 nga viktimat që shihen në video, e cila është xhiruar në Damask më 16 prill 2013. Në një intervistë për AP-në, Youness tha se në vitin 2013, besnikët e qeverisë kryen rregullisht vrasje masive në zonën Tadamon të Damaskut jugor, ku u xhirua videoja, për t’u hakmarrë për sulmet nga grupet rebele që kontrollonin pjesë të qytetit.

Vrasjet ishin pjesë e strategjisë së Qeverisë siriane për të shtypur kryengritjen e armatosur që u ngrit nga protestat fillimisht paqësore kundër sundimit të saj në vitin 2011. Presidenti Bashar al-Assad ia doli ta ruante pushtetin me ndërhyrjen ushtarake të Rusisë së Vladimir Putinit.

“Sa herë që kishte një përleshje mes postbllokut Nisreen (një pikë kontrolli sigurie në zonë) dhe opozitës së armatosur, ato (forcat qeveritare) kryenin një operacion hakmarrjeje të rastësishme. Ata hynin në shtëpitë e civilëve që nuk kishin asnjë rol në opozitë, paqësorë, ose të armatosur dhe do t’i vrisnin në mënyrë barbare”, ka theksuar Youness.

Ai tha se shumë nga viktimat u arrestuan rastësisht ndërsa kalonin nëpër pikat e kontrollit të sigurisë. “Një aspekt tjetër i madh ishte kundër njerëzve që jetonin në këto zona (të kontrolluara nga opozita e armatosur) dhe u përpoqën të dilnin nga zona jugore (Damask) për të marrë ilaçe ose ushqime, sepse zona ishte plotësisht e rrethuar”, ka treguar ai.

Agjencia e lajmeve AP ka intervistuar prindërit e njërës prej viktimave, të cilët kanë identifikuar djalin e tyre në xhirim.

Omar Siyam dhe Siham Siyam, prindër të njërës prej viktimave, Vassim Siyam, kanë thënë se vrasësit duhet të dënohen për krimet e kryera.

“Djali ynë dhe këta njerëz nuk do të kthehen më, Zoti i mëshiroftë shpirtrat e tyre, ky është një grup i madh, jo një apo dy, ka pasur një plan, ka pasur urdhra, kamioni erdhi dhe hapi një gropë dhe mblodhi njerëzit. Kishte urdhra nga lart”, ka thënë Omar Siyam. “Ata sollën njerëz dhe filluan t’i qëllonin. Gërmonin dhe hidhnin goma, hidhnin njerëz, shtonin benzinë. Vrisnin njerëz. Ata njerëz janë kriminelë dhe duhet të përballen me drejtësinë dhe të ndiqen penalisht”.

Ngjashëm ka reaguar edhe nëna. “A u dhanë armë njerëzve të çmendur? Unë jam e pafuqishme. Por kërkoj nga të gjitha organizatat ndërkombëtare që këta persona t’i nxjerrin para drejtësisë. Për të vënë drejtësi për njerëzit që u vranë këtu. Jo vetëm ata, të gjithë ata që u vranë kanë të drejta. Çfarë kanë bërë gabim? Çfarë bënë ata?” – ka pyetur Siham Siyam.

Youness ka thënë se kishte edhe vrasës që po vepronin sipas tekeve të veta. “Dhe në varësi të gjendjes shpirtërore të oficerit të sigurimit, ose e linin personin të kalonte, ose u thoshin se nuk kishte asgjë mbi ta, por prapëseprapë i ndalonin ose i ekzekutonin, siç e pamë në xhirim. Nga xhirimi duket qartë se këta persona janë mbledhur pak çaste më parë”, ka thënë ai. /koha