Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Familja e raportueses së OKB-së, Francesca Albanese, padit administratën Trump për sanksionet

Familja e raportueses së OKB-së, Francesca Albanese, padit administratën Trump për sanksionet

Francesca Albanese

Familja e raportueses speciale të OKB-së për të drejtat e njeriut, Francesca Albanese, ka ngritur padi kundër administratës së presidentit amerikan Donald Trump për sanksionet e vendosura ndaj saj.

Padia u paraqit të enjten nga bashkëshorti dhe fëmija i Albanese. Sipas dokumentit, sanksionet synojnë ta ndëshkojnë atë për denoncimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut që, sipas saj, Israel ka kryer ndaj palestinezëve.

Që nga viti 2022, Albanese shërben si raportuese speciale për Bregun Perëndimor dhe Gazën, detyrë për të cilën është zgjedhur nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së. Në këtë rol, ajo monitoron dhe raporton për shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj palestinezëve.

Administrata Trump vendosi sanksione ndaj saj në muajin korrik, duke e cilësuar “të papërshtatshme” për detyrën dhe duke e akuzuar për “veprimtari të njëanshme dhe dashakeqe” kundër SHBA-së dhe aleatit të saj, Izraelit. Po ashtu, u përmend edhe angazhimi i saj lidhur me Gjykatën Ndërkombëtare Penale, e cila – pas shqyrtimit të rekomandimeve të Albanese dhe ekspertëve të tjerë – lëshoi urdhër-arrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte në Gaza.

Familja e Albanese e ka mbrojtur qëndrimin e saj si shprehje të lirë, të mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-së, duke theksuar se komentet e saj mbi konfliktin izraelito-palestinez dhe punën e ICC-së përbëjnë ushtrim të së drejtës themelore për lirinë e fjalës. /mesazhi