Familjarët e të pagjeturve: Ende jemi në mjegull

Familjarë të personave të pagjetur në Kosovë shprehen të painformuar në lidhje me deklaratën e dakorduar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq më 2 maj në Bruksel, raporton RTKlive.

Ata thonë se çështja e personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në vend nuk duhet të jetë më pjesë e diskutimeve politike.

Koordinatori i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur në Prishtinë, Bajram Qerkinaj ka thënë se kanë pasur pritje tjera nga ky takim.

“Për ne familjarët ende nuk është diçka konkrete, ende jemi në mjegull, ende nuk është ajo çfarë kemi pritur edhe në Ohër edhe në Bruksel. Neve na intereson si shumicë çfarë po ndodh në këto takimet e nivelit të lartë. Unë nga fillimi jam i kyçur në këtë proces. Kemi bërë një strategji e cila ka qenë pesëvjeçare. Të gjitha këto pikat që tani i përmendin politikanët kanë qenë në strategjinë e vitit 2010”, theksoi Qerkinaj.

Edhe Jasmina Zhivkoviq, kryetare e Shoqatës së të Pagjeturve në Shtërpcë tha se nuk ka pasur asnjë risi nga takimi i fundit në Bruksel.

“Do të mundohem të jem objektive dhe besoj në atë çfarë është dakorduar më 2 maj, ndonëse nuk ka ndonjë risi. Pritja është shumë e vështirë dhe e rëndë. Në dy vitet e fundit nuk është mbajtur asnjë takim e nuk është bërë asnjë gërmim. Shpresa është ajo që na mbanë të gjithë familjarëve dhe shpresa që ky proces nuk duhet të ndërpritet dhe të humb linjën humane”, ka potencuar ajo.

Ndërsa, Millica Radovanoviq, hulumtuese nga “Nisma e Re Sociale” u shpreh se nuk ka pasur seriozitet në trajtimin e çështjes së personave të zhdukur me forcë.

“Duke qenë se kjo çështje ka ardhur deri te ajo që te diskutohet në nivel politik, kjo për ne është shumë joserioze. Nuk është hera e parë që diskutohet për këtë temë dhe miratohen disa konkluzione të rëndësishme dhe pastaj marrëveshja nuk zbatohet. Askush nuk ka qenë i interesuar deri tani dhe askush nuk ka marrë në pyetje kryerësit e këtyre krimeve andaj edhe nuk ka pasur ndonjë rezultat”, theksoi ajo.