Familjet siriane po vazhdojnë të kërkojnë të afërmit e tyre në burgun al-Aktan, i cili u mor nën kontroll të martën nga ushtria siriane, pasi më parë ishte nën kontrollin e grupit YPG dhe elementëve të regjimit të rrëzuar.
Sipas raportimeve, shumë familjarë janë mbledhur pranë burgut, duke shpresuar të gjejnë lajme për të dashurit e tyre. Hind al-Ard, 52 vjeçe, tregoi se djali i saj 18-vjeçar ishte dënuar me një vit e gjysmë burg nga YPG dhe kishte kaluar shtatë muaj i ndaluar me akuzën e lidhjeve me ushtrinë siriane.
Ajo tha se po kërkonte jo vetëm djalin, por edhe vëllanë e saj jashtë rrethimit të burgut. Sipas saj, më parë i ishte lejuar ta vizitonte djalin tri herë, por gjatë muajit të fundit YPG e kishte penguar t’i afrohej portave të burgut dhe i kishte ndaluar vizitat, përfshirë edhe gjatë festave të Vitit të Ri.
“Zoti i liroftë të gjithë të burgosurit myslimanë. Me vullnetin e Zotit, edhe djali im do të lirohet,” u shpreh ajo.
Burgu al-Aktan ndodhet rreth 10 kilometra në verilindje të qendrës së qytetit Raqqa dhe kishte në paraburgim edhe persona të lidhur me organizatën terroriste Daesh. Pas marrjes së kontrollit nga ushtria siriane, u raportuan përplasje me militantë të YPG-së.
Pas këtyre përplasjeve, elementë të YPG-së liruan të ndaluarit dhe u tërhoqën nga zona. Ministria siriane e Mbrojtjes njoftoi se siguria në burgun al-Aktan është vendosur plotësisht dhe se forcat e sigurisë janë dislokuar përreth objektit.
Ndërkohë, presidenca siriane bëri të ditur se është arritur një “mirëkuptim i ndërsjellë” me YPG-në lidhur me të ardhmen e provincës Hasakah. Ministria e Mbrojtjes njoftoi gjithashtu një armëpushim katërditor me YPG-në, i cili hyri në fuqi të martën në mbrëmje. /mesazhi







