Fenomeni i përvetësimit të përgjithshmes dhe përgjithësimit të përveçmes

Rufat Sherifi

Nuk ka aspak dyshim se kualifikimi i Kombëtares së Shqipërisë në Kampionatin Evropian është një moment i veçantë për popullin tonë dhe një sukses që duhet të na bëjë të mburremi e të festojmë, ngase kjo paraqet një ndjenjë të natyrshme, e cila nuk duhet të ngulfatet dhe mohohet. Sukseset e këtilla i japin popullit kurajë, motiv dhe bindje se posedon kapacitete dhe potenciale, të cilat, nëse dimë në mënyrën më të mirë t’i kuptojmë, shfaqim, zhvillojmë, orientojmë dhe shfrytëzojmë, popullit tonë nuk do t’i mungonin sukseset edhe në fushat tjera, ku për fat të keq po çalojmë.
Por, ajo që të habit dhe shqetëson në këto ngjarje gëzimi, është paraqitja e pankartave me mbishkrime të turpshme, si ajo që ndodhi në ndeshjen e fundit të Kombëtares në stadiumin në Tiranë, nga një grup tifozësh matufë, të cilët me pamaturinë e tyre dinë edhe momentet më të ëmbla t’i idhëtojnë.
Parashtrohet pyetja, nga lind vallë ideja e një mbishkrimi të tillë dhe ku e ka prapavinë?!
A thua kjo është një shfaqje e reaksionit nga e kaluara komuniste enveriste, periudhë kjo në të cilën populli nuk kishte të drejtë të pronëson asgjë nga ajo që është e natyrshme të pronësohet, dhe tani, për të kompensuar atë ndjenjë të kaluar, dëshirojmë të përvetësojmë atë që është e përgjithshme, dhe duke kaluar nga një ekstrem në ekstremin tjetër, nuk kemi fare dert se po e përgjithësojmë atë që është e posaçme dhe intime, ndërsa, nga ana tjetër, tentojmë të përvetësojmë atë që është e përgjithshme, Zotin? Mos vallë kjo iniciativë ka elemente të përbashkëta me popullin serb, i cili parullë të veten e kishte të përvetësonte Zotin, se kinse Ai është serb?
Mendoj se për elitën akademike dhe shkencore, e sidomos për socilogët, psikologët dhe teologët, ka mjaft punë për të bërë, për të kuptuar nga e kanë zanafillën këto iniciativa që biejnë ndesh me orientimet mbarëpopullore; iniciativa që dëmtojnë identitetin kombëtar e fetarë, unitetin popullor, tolerancën fetare, integrimet evropiane etj.
A thua sa janë të nevojshme dhe të arsyeshme këto iniciativa, nga matrapazë dhe palë destruktive, të cilëve aspak nuk iu pengon se po zbrazen tokat dhe kokat e popullit tonë, në këto momente kur punohet edhe më shumë për të gllabëruar tokat tona, me dëshirë apo me dhunë, nga armiqtë tanë të përbetuar; në këto momente kur politikat e dështuara të elitave politike shqiptare, në përgjithësi aty ku gjendet kombi ynë, për të siguruar ambient për punësim, zhvillim, ndjenjë të drejtësisë sociale dhe mirëqenie e ardhmëri të sigurt për brezat e rinj, po bëjnë që migrimi i kokave tona, e së bashku me ta edhe i një pjese bukur të mirë të popullit, të rrezikon ardhmërinë e vendeve tona; në momentin kur po zhvillohet një luftë e ashpër mediatike, e cila synon me të madhe përhapjen e antivlerave dhe cënon trungun më të fortë dhe më të shëndoshë të shoqërisë, familjen.
Dikush ndoshta këtë vështrim mund ta sheh si të tepruar dhe do të fton që mos të hiporbolizohen gjërat aq skajshëm, por nëse marrim parasysh thënien “Kur heshtën të mençurit, budallenjtë menduan se kishin të drejtë dhe edhe më shumë u fuqizuan”, po frikohem se heshtja e të mençurve mund të na kushtojë shumë shtrenjtë dhe do të sjell situatë jo të volitshme për popullin tonë.
Pankarta me mbishkrimin “Zoti është Shqiptar”, ma rikujton thënien e të ndjerit Prim. Med. Dr. Sci Ali Iljazi, i cili shpesh e thoshte një fjalë të urtë: “El-Xhununu Funun, Çmenduria është art në vete”. Por frika qëndron në atë se po kalojmë në kohëra kur të çmendurit po avansohen, kurse të urtit po nënvlerësohen; besnikët shpallen tradhtarë, tradhtarët merren për besnikë; vlerat po luftohen, kurse antivlerat po përkrahen; shtresat e ulëta po favorizohen, ndërsa shtresat e larta po nënçmohen; gjëra këto për të cilat kishte paralajmëruar edhe Pejgamberi ynë, Muhamedi alejhi selam, i cili tha: “Njerëzve do t’u vijnë vite mashtrimi, në të cilat gënjeshtarit do t’i besohet dhe i sinqerti do të gënjehet, tradhtarit do t’i besohet dhe i besueshmi do të tradhtohet, dhe Ruvejbdeja do të flasë”. I thanë: “Ç’është Al-Ruvejbde?” Ai tha: “Njeriu mendjelehtë, i cili do të flet për çështje të përgjithshme”.
Mbetet detyrë e jona që të jemi vigjilent, aktiv dhe të punojmë në vazhdimësi për t’i kthyer gjërat në vendet e duhura dhe për t’ju kundërvënë tentimeve të liga për futjen e hutive, turbullirave, çmendurive dhe çregullimeve në shoqërinë tonë.

Nga: Rufat Sherifi