Festim përmes ngrënies…

Festim përmes ngrënies, shërim përmes ngrënies, shpresë përmes ngrënies, urime përmes ngrënies, ngrënie përmes ngrënies.

Duket se tek ne gjithçka merr kuptim vetëm përmes ngrënies. Ardhja e një viti të ri sigurisht që është një moment, mbi të gjitha, meditimi. Pakkush, në vend që të merret me anën sipërfaqësore të ndërrimit të viteve, ndalet e mediton mbi atë se çfarë ishte viti që kaloi. Çfarë bëri ai ose ajo për të kontribuar në këtë shoqërinë tonë të sëmurë? Çfarë kontributi, moral edhe material, dha për të përmirësuar vetveten dhe të tjerët? Pse ky delir? Ndoshta viti që vjen mund të jetë më i keq për secilin, ndoshta për dikë mund të jetë viti i fundit. A thua është ky festim që na bën të ndihemi më mirë? Çfarë ndodh ditën e nesërme të festës? Të gjitha qytetet janë të zbrazura, shija e festës është zëvendësuar me një shije tjetër. Çfarë ngeli në vetvetet tona përveç një kujtimi gjysmë të dehur?

Nga Redi Shehu