Ballina Artikuj Festimi, mosfestimi i Mevludit

Festimi, mosfestimi i Mevludit

Hoxhë Husamedin Abazi

Festimi, mosfestimi i Mevludit
Shkurt e shqip
Ruajtja e unitetit dhe vëllazërisë është më e mirë
Me rastin e lindjes së Pejgamberit tonë, alejhi selam, do të duhej të preokupoheshim secili prej nesh me lindjen dhe rilindjen e sotme të Umetit, të kombit, të individit, të familjes dhe të shoqërisë; me rilindjen e mendjes, zemrës dhe shpirtit; me rilindjen e drejtësisë, bashkëpunimit dhe respektimit të tjetrit.
Sa i përket festimit apo mosfestimit të lindjes së Pejgamberit a.s., do të duhej që secili grup t’i mbronte argumentet e veta, pa e ofenduar apo nënçmuar grupin tjetër. Kjo është një çështje në të cilën të dyja palët kanë argumentet e tyre, të cilat i konsiderojnë të forta.
Ata që përpiqen t’i paraqesin argumentet e tyre si absolute dhe si të vetmet të pranuara, vetëm sa e vështirësojnë fenë, i përçajnë muslimanët dhe mbjellin fitne.
Në një hadith të gjatë, të transmetuar në Sunenin e Ebu Davudit, ndër të tjera, Pejgamberi a.s. thotë:
‎«وَإِنَّمَا أَخَافُ عَلَى أُمَّتِي الْأَئِمَّةَ الْمُضِلِّينَ»
“Unë i frikësohem për Umetin tim prijësve/udhëheqësve që devijojnë.”
Imam Neveviu, në shpjegimin e këtij hadithi, sqaron se ndër gjërat që Pejgamberi a.s. i frikësohej për Umetin e tij, më e merituara për t’u pasur frikë janë imamët/prijësit që i devijojnë njerëzit.
Këtu fjala “imamë” (الأئمة) nuk kufizohet domosdoshmërisht vetëm te sundimtarët politikë. Në kuptimin e dijetarëve, ajo përfshin edhe njerëzit që ndiqen nga të tjerët dhe që mund t’i largojnë ata nga rruga e Allahut — qofshin udhëheqës të padrejtë, dijetarë të korruptuar apo edhe njerëz që duken të devotshëm, por janë të paditur dhe, për shkak të padijes së tyre, i çojnë të tjerët në gabim.
Prandaj, le të kemi dallime në mendime aty ku ka dallime, por të mos e humbim për shkak të tyre vëllazërinë, respektin dhe unitetin. Sepse ruajtja e unitetit dhe vëllazërisë është më e mirë se përçarja dhe armiqësimi për çështje në të cilat dijetarët kanë pasur mendime të ndryshme.

Hoxhë Husamedin Abazi