Një nga problemet më të mëdha të diskursit fetar është kur feja reduktohet ose në “autoritet personash”, ose në “lexim të izoluar individual”.
Në njërën anë qëndron modeli ku hoxha shndërrohet në burimin absolut të së vërtetës, ndërsa libri mbetet vetëm dekor; në anën tjetër qëndron individi që mendon se vetëm leximi personal i mjafton për të kuptuar çdo gjë pa metodë, pa traditë dhe pa udhëzim.
Thënia e njohur:“Ai që e ka hoxhë librin, i shtohen gabimet”, në shumë raste nuk është përdorur për të mbrojtur metodologjinë e dijes, por për të krijuar varësi psikologjike ndaj figurës së “mësuesit”, sikur qasja në të vërtetën të kalonte vetëm përmes një personi të caktuar.
Kjo mund të kishte një kuptim më të arsyeshëm në kohët e vjetra, kur librat ishin të rrallë, të kopjuar me dorë, të vështirë për t’u siguruar dhe kur qasja në dije kërkonte vite udhëtimi e kërkimi. Por sot, kur dijet, dorëshkrimet, komentimet dhe krahasimet janë të hapura për miliona njerëz, problemi nuk është më mungesa e burimeve, por mungesa e metodës dhe e ekuilibrit.
Prandaj, fetaria e shëndoshë nuk ndërtohet as mbi kultin e hoxhës dhe as mbi arrogancën e leximit individual. Ajo qëndron mes librit dhe mësuesit.
Libri është themeli, sepse feja nuk ndërtohet mbi personalitete, por mbi argumente, dije dhe trashëgimi të shkruar. Ndërsa mësuesi ka rolin e udhëzuesit: ai ndihmon në kuptimin e metodës, lidhjen e ideve, njohjen e kontekstit dhe shmangien e keqleximeve.
Kur mungon libri, lind fetaria emocionale dhe sektare, ku njerëzit lidhen me individë më shumë sesa me të vërtetën. Ndërsa kur mungon mësuesi, lind iluzioni se çdo lexim i shpejtë është dije e thellë.
Prandaj problemi nuk është: “libri apo hoxha?”,por: si ta ruajmë ekuilibrin që as personi të mos zëvendësojë argumentin dhe as leximi individual të mos zëvendësojë dijen metodologjike.
Hoxha i vërtetë nuk e mbyll njeriun tek vetja, por e hap drejt librit, kërkimit dhe mendimit kritik. Ndërsa libri i lexuar drejt nuk e zhduk nevojën për mësuesin, por e vendos atë në rolin e tij natyror: udhëzues e jo pronar të së vërtetës.
Hoxhë Halil Avdulli








