Fetaria midis ritualeve dhe ndërgjegjes

Hoxhë Halil Avdulli

*“Pa dyshim se namazi ndalon nga imoraliteti dhe e pahijshmja”. (El Ankebut, 45)
*“O ju që besuat! Ju obligohet agjërimi ashtu siç i qe obliguar atyre që ishin para jush, që të bëheni të devotshëm”. (El Bekare, 183)
*“Kush vendos të bëjë haxhin, nuk duhet t’i afrohet epshit, ligësisë dhe grindjes gjatë haxhit”. (El Bekare, 197)
*“Merr nga pasuritë e tyre (Zekat), që t’i pastrosh dhe t’i dëlirësosh, dhe lutu për ta!”
* “Nuk do të hyjë në Xhenet ai që në zemrën e tij ka sa grimca mendjemadhësi! (Muhamedi a.s.)
– – – –
Shoqëritë tona po dëshmojnë një rënie të habitshme në kuptimin e vërtetë të fetarisë, apo fetarisë së thellë, duke e zëvendësuar atë me një fetari sipërfaqësore, e të bazuar kryesisht në kryerjen e ritualeve fetare, dhe ndarjen e tyre nga përditshmëria jetësore.
Ky realitetit që shohim sot, në masë të madhe pasqyron mungesën e të kuptuarit të urtësisë dhe parimeve të Islamit, që nuk duhet të nënkuptojë vetëm ritualet, por më krahas saj edhe reflektimin e tyre në jetën private dhe veprimet shoqëror që e përmbushin kuptimin e jetës në këtë botë.
Ekzistenca e njeriut, sipas konceptit Islam, bazohet në dy aspekte të ndërlidhura dhe të pandashme, e që janë: monoteizmi i pastër dhe ndërtimi i jetës. Domethënë, dimensioni doktrinar dhe ai praktik, veprues e prodhues.
Dimensioni i dytë është zgjatim i të parit. Çdo vepër është ibadet, derisa është e pastër, për hir të Zotit dhe e dobishme për njerëzit.
Kemi nevojë të madhe ta diskutojmë apo rishqyrtojmë ndërtimin tonë fetar, sidomos në vendosjen e barazpeshës në mes ritualeve në njëren anë dhe sistemit të vlerave njerëzore në anën tjetër.
Kemi trashëguar një kulturë islame që i kushton vëmendje të madhe vetëm ritualeve, e në anën tjetër neglizhon adhurimet që e rregullojnë jetën tonë praktike të cilat pasqyrojnë imazhin e vërtetë të muslimlanit.
Për shembull: Kur vonimin e namazit përtej kohës së tij, apo mosfaljen e tij në xhami e konsiderojmë si gjynah, ose prishjen e agjërimit një ditë të Ramazanit pa arsye e konsiderojmë si fatkeqësi të madhe, konsiderohet fetari e vërtetë. Por a thu si e konsiderojmë hipokrizinë e tradhëtinë ndaj miqëve e familjës tonë. Ose, si ndjehet ndërgjegjja e jonë kur përgojojmë ose i shtypim të tjerët, ose përdorim ryshfetin për të arritur një pozitë, të cilën nuk e mertiojmë se nuk kemi haber, si dhe shumë veprime të tjeta të kësaj natyre?!
Duhet të kemi parasysh se Zoti i Madhëruar ashtu siç na ka urdhëruar me adhurime, na ka urdhëruar gjithashtu t’i ruajmë vlerat njerëzore, madje zbatimi i këtyre vlerave ka përparësi ndaj ritualeve. Kështu për shembull, gënjeshtra është më mëkat te Zoti sesa prishja e agjërimit në Ramazan. Përgojimi, thashethemet, hipokrizia, tradhtia dhe ngrënia e pasurisë së njerëzve padrejtësisht është më mëkat se pirja e alkoolit dhe vonimi i namazit. Sepse të gjitha ritualet me radhë, duke përfshirë ato kryesoret si: namazi, agjërimi dhe haxhi, janë të drejta të Zotit të Plotfuqishëm që, në rast të dështimi në kryerjen e tyre, plotësimi i tyre arrihet përmes pendimit të sinqertë te Zoti. Ndërsa haku i njerëzve është i pafalshëm nëse nuk ua ktheni ato haqe.
Sa shumë na duhet korigjim në piramidën e sistemin tonë të vlerave, në mënyrë që vlerat njerëzore të bëhen baza e piramidës dhe të jenë bazë e ndërtimin të personalitetit tonë, ashtu që ritualet ta kenë lujatur edhe rolin e tyre në këtë botë, e pastaj të kenë bukurinë dhe ndikimin e tyre formues në personalitetin tonë.
Vetëm si fetar të tillë do të jemi shembull në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe progresive.

Nga: Halil Avdulli