Fitimet dhe të ardhurat e operatorëve celulare në rënie drastike

Vitin e kaluar, trafiku total i të dhënave (internetit) nga rrjetet celulare arriti sasinë rekord të 89 milionë gigabyte (GB), me një rritje prej 29% krahasuar me një vit më parë.

Përdorimi mesatar mujor i internetit nga abonentët e telefonisë celulare gjithashtu ka arritur shifra rekord, me rreth 5.2 Gb në muaj në tremujorin e parë të këtij viti.

Biznesi i thirrjeve ndërkombëtare për operatorët celularë po tkurret gjithnjë e më shumë. Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se për vitin e kaluar, volumi total i thirrjeve dalëse nga rrjetet celulare drejt destinacioneve ndërkombëtare ra në 31 milionë minuta, 31% më pak krahasuar me vitin 2019. Rënia e trafikut ndërkombëtar ka vijuar edhe në tremujorin e parë të këtij viti, për një volum total prej 7.2 milionë minutash, në rënie me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Volumi i thirrjeve ndërkombëtare ka arritur nivelet më të ulëta historike, megjithëse operatorët prej vitesh i kanë përfshirë edhe këto thirrje në disa prej paketave mujore të komunikimit.

Rënia e trafikut të thirrjeve ndërkombëtare lidhet kryesisht me përdorimin e aplikacioneve të bazuara tek interneti, si WhatsApp, Viber, etj., që e kanë ndryshuar mënyrën e komunikimit dhe të përdorimit të aparatit celular. Këto aplikacione po japin një efekt të ndjeshëm edhe në trafikun kombëtar të shërbimeve. Tendencat tregojnë se rrjetet celulare do të përdoren gjithnjë e më pak për marrjen e komunikimit direkt, sepse këto shërbime po zëvendësohen në një masë të madhe nga interneti.

Vitin e kaluar, edhe trafiku i thirrjeve kombëtare në rrjetet celulare ra me 4%, ndërsa numri i mesazheve të shkruara (SMS) vijoi rënien me ritme të larta, me 32% më pak krahasuar me vitin 2019. Tek telefonatat ndërkombëtare, që janë më të kushtueshme krahasuar me ato kombëtare, kjo tendencë zëvendësimi është më e shpejtë dhe më e dukshme.

Vitin e kaluar, trafiku total i të dhënave (internetit) nga rrjetet celulare arriti sasinë rekord të 89 milionë gigabyte (GB), me një rritje prej 29% krahasuar me një vit më parë. Përdorimi mesatar mujor i internetit nga abonentët e telefonisë celulare gjithashtu ka arritur shifra rekord, me rreth 5.2 Gb në muaj në tremujorin e parë të këtij viti.

Tani sfida më e madhe për operatorët është përmirësimi i cilësisë së shërbimit të internet me brez të gjerë. Sipas të dhënave të raportuara nga operatorët celularë në AKEP, mbulimi i popullsisë me rrjet 4G ka arritur në rreth 96%. Megjithatë, ky mbulim ndryshon shumë mes operatorëve të ndryshëm, madje shpesh edhe në qendrat më të mëdha urbane cilësia e shërbimit lë shumë për të dëshiruar. Kjo ka rritur presionin konkurrues për të investuar me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit.

Sipas të dhënave paraprake nga AKEP, investimet në rrjetet celulare vitin e kaluar u rritën me 64% dhe arritën vlerën e 6.9 miliardë lekëve. Mbështetur në të dhënat që raporton AKEP, vlera e investimeve të operatorëve ka arritur nivelin më të lartë që nga viti 2010, por sidoqoftë këto shifra ende duhet të konfirmohen nga pasqyrat e audituara financiare të kompanive.

/Monitor