Fondacioni Hind Rajab (HRF) ka njoftuar se ka paraqitur një kërkesë pranë Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së për ndjekjen penale të ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, për krime lufte, akte gjenocidi dhe nxitje të gjenocidit, transmeton Anadolu.
Organizata për të drejtat e njeriut me seli në Belgjikë tha se ankesa u dorëzua përpara pranisë së pritshme të ministrit izraelit Ben-Gvir në Neë York më 7 dhe 8 korrik.
Fondacioni akuzoi Ben-Gvirin për mbikëqyrjen e politikave që “çuan në torturë, keqtrajtim, vrasje dhe zhvendosje të detyruar të palestinezëve”, veçanërisht në Shërbimin e Burgjeve të Izraelit, i cili është nën autoritetin e tij ministror.
Grupi tha se të burgosurit palestinezë janë përballur me uri, rrahje, lidhje me pranga, privim nga gjumi, mohimin e kujdesit mjekësor, dhunë seksuale dhe forma të tjera abuzimi. Ai pretendoi gjithashtu se të paktën 46 palestinezë kanë vdekur në paraburgimin izraelit midis tetorit 2023 dhe gushtit 2025.
Fondacioni pretendoi gjithashtu se pjesëmarrësit në flotiljet e nisura drejt Gazës gjatë viteve 2025 dhe 2026, përfshirë shtetas amerikanë, janë keqtrajtuar dhe torturuar pas ndalimit nga forcat izraelite.
HRF tha se i ka kërkuar Departamentit të Drejtësisë të hapë një hetim penal formal, të lëshojë një urdhër arresti ose të ndalojë Ben-Gvirin të largohet nga juridiksioni amerikan deri në përfundimin e hetimeve, si dhe të nisë procedurat sipas ligjit amerikan.
Ankesa i referohet Ligjit amerikan për Krimet e Luftës dhe Statutit amerikan për Gjenocidin, duke e akuzuar Ben-Gvirin për torturë, trajtim mizor ose çnjerëzor, vrasje, përdhunim, abuzim seksual, akte gjenocidi dhe nxitje të gjenocidit.
Përfaqësuesi i HRF-së në SHBA, Jake Romm, tha se Washingtoni ka detyrimin të veprojë, veçanërisht pasi akuzat përfshijnë edhe abuzimin e shtetasve amerikanë.
“Çdo shtet në botë, përfshirë SHBA-ja, ka detyrimin ta arrestojë dhe ta sjellë para drejtësisë për krimet e tij”, tha Romm.
Fondacioni tha se paraqitja e ankesës është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të përdorur juridiksionet kombëtare kundër individëve të akuzuar për përfshirje në krime ndërkombëtare të kryera në Rripin e Gazës.





