Forca e Re Kombëtare (FRK), subjekt i ri politik në formim e sipër, është iniciativë e Dr. Ferid Aganit dhe Fatmir Smajlit, kryetar i Grupit Politik “Integriteti”. Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se më 14 dhe 17 korrik janë mbajtur mbledhjet konstitutive të Këshillit Organizativ, të cilat shënojnë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të këtij subjekti politik.
Në këto mbledhje, të zhvilluara në një atmosferë serioze dhe bashkëpunuese, morën pjesë figura me përvojë nga jeta publike, akademike dhe politike, si dhe qytetarë të interesuar për një alternativë të re politike. Gjatë takimeve u miratua Rregullorja e Punës, u zgjodh kryetari i Këshillit, u konstituuan strukturat drejtuese dhe u emërua përfaqësuesi ligjor për paraqitje në KQZ. Po ashtu, u vendos për krijimin e grupeve të punës që do të hartojnë dokumentet themelore si Statuti, Programi Politik, Platforma Ideologjike, si dhe strategjitë e komunikimit dhe të fushatës zgjedhore.
Një nga pikat më të rëndësishme ishte miratimi i një Deklarate Politike që mbështet vlera si familja, tradita, morali, identiteti kombëtar dhe liria individuale, të gjitha në kuadër të rendit demokratik dhe kushtetues.
Gjithashtu, u njoftua për bashkimin e Partisë së Drejtësisë me grupin politik të intelektualëve “Integriteti”, me synimin për të krijuar një subjekt të përbashkët që bashkon përvojën 25-vjeçare të Partisë së Drejtësisë me vizionin e ri të partnerëve të saj.








