Forcat e regjimit sirian tërhiqen nga Aeroporti Ndërkombëtar i Alepos

Forcat e regjimit të Bashar al-Assadit në Siri vazhdojnë të tërhiqen ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar i Alepos, mes lokacioneve të tjera strategjike, i është lënë grupit terrorist PKK/YPG, raporton Anadolu.

Sipas burimeve lokale, pasi grupet e armatosura kundër regjimit hynë në qendër të qytetit të Alepos, mëngjesin e sotëm forcat e Assadit i dorëzuan organizatës terroriste PKK/YPG Aeroportin Ndërkombëtar të Alepos, zonat rurale veriore Nubl dhe Zahraa, Zonën Industriale të Alepos, si dhe rajonet Tal Hasil dhe Tal Aran.

Që nga e mërkura, grupet e armatosura që janë përleshur me forcat e regjimit në Sirinë veriore kanë përparuar me shpejtësi si në zonat rurale të provincës Idlib dhe Alepo.

Grupet e armatosura deri në mëngjesin e sotëm kanë kapur më shumë se 50 fshatra në pjesët lindore dhe juglindore të Idlibit, të cilat më parë ishin nën kontrollin e regjimit të Asadit.

Pavarësisht marrëveshjes së “zonave të de-përshkallëzimit” të arritur gjatë bisedimeve në Astana, regjimi sirian në vitin 2019 i pushtoi këto fshatra pas sulmeve intensive.

Më 27-28 nëntor, grupet kundër regjimit përparuan me shpejtësi nga zona rurale perëndimore e Alepos drejt qendrës, duke marrë nën kontroll zona të shumta në fshatrat e Idlibit në ditën e dytë të përleshjeve.

Dje, grupet arritën të hyjnë në qendër të qytetit të Alepos dhe deri në mbrëmje arritën në rrethet qendrore.