Forcat turke sulme kundër PKK-së në veri të Irakut

Forcat e armatosura turke kanë kryer sulme ajrore të reja në pjesën veriore të Irakut duke shkatërruar të paktën 16 baza të reja të zbuluara të organizatës terroriste PKK, raporton Anadolu Agency (AA).

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Turke njoftoi se bombarduesit turq kanë kryer sulme të ashpra ndaj terroristëve të PKK-së përgjatë vargmalit në rripin kufitar verior të Irakut.

Sipas deklaratës, gjatë sulmeve janë shkatërruar 16 baza dhe janë neutralizuar gjashtë terroristë të armatosur.

PKK është një organizatë separatiste e cila ndodhet në listën e grupeve terroriste në Turqi, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA). Gjatë fushatës tre-dekadëshe terroriste kundër Turqisë, terroristët e PKK vranë të paktën 40,000 vetë.

Malet Kandil, Gara, Metin, Avashin-Basyan, Hakurk dhe Zap shtrihen në veri të Irakut përgjatë kufirit Irak-Turqi. Kjo është një zonë e cila njihet si djepi i lëvizjes terroriste të PKK.

Forcat turke kanë nisur një luftë gjithëpërfshirëse kundër terroristëve të PKK-së brenda Turqisë për të tretin vit, si dhe në veri të Irakut dhe Sirisë.

Veprimet antiterroriste në rajonet kufitare të Irakut dhe Sirisë bazohen në të drejtat e Turqisë të bazuara në të drejtën ndërkombëtare për vetë-mbrojtje dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit. Operacionet kryhen duke respektuar integritetin territorial të vendeve fqinjë dhe me qëllim të neutralizimit të kërcënimit terrorist.