Franca gjobit me 220 milionë euro Google-n

Kompania Google po ndëshkohet me 220 milionë euro gjobë nga agjencia franceze anti-monopol, e cila e akuzon gjigandin teknologjik se po abuzon me statusin dominant në tregun e reklamave në internet.

Google ka premtuar të reformojë mënyrat se si platforma e tij përdoret për të blerë e shitur reklama dixhitale, të paktën brenda Francës, gjë që pritet të ndikojë në vendimet mbi paditë e tjera kundër kësaj kompanie në Evropë, SHBA dhe pjesë të tjera të globit.

Praktikat e kompanisë në shitjen e reklamave kanë dëmtuar konkurrentët e tjerë si dhe operuesit e faqeve online dhe aplikacioneve, tha të hënën Autoriteti Francez për Konkurrencën. Kjo agjenci tha se kompania ka për detyrë të shmangë dëmtimin e konkurrentëve. Google nuk i hodhi poshtë faktet e paraqitura dhe preferoi ta mbyllte çështjen duke propozuar disa ndryshime, sipas deklaratës së agjencisë rregullatore franceze.

Marrëveshja e arritur në këtë rast mund të shërbejë si shembull në padi të tjera që ngrenë qeveritë ndaj këtij gjigandi me kontroll dominues në treg, thanë analistët. /tch