Franca kërkon ndihmë nga Izraeli për t’u përballur me protestat

Policia franceze ka kërkuar ndihmën e Izraelit për t’u përballur me protestat e vazhdueshme në të gjithë Francën pas vdekjes së një adoleshenti në një ndalesë trafiku, transmeton Anadolu.

Gazeta “The Israel Hayom” njoftoi se Komisioni i Policisë izraelite mori një faks nga policia franceze për të pyetur se si të menaxhonte krizën me të cilën po përballen.

Kërkesa franceze u zbulua nga nënkryetari i Divizionit të Operacioneve Policore, Shimon Nahmani, gjatë një seance dëgjimore të mbajtur nga Komiteti i Sigurisë Kombëtare të Knesset.

Sipas gazetës, komisioneri i policisë izraelite, Kobi Shabtai, urdhëroi departamentet e tij të inteligjencës dhe operacioneve të studiojnë protestat në Francë dhe reagimin e policisë para, gjatë dhe pas vdekjes së adoleshentit.

Nuk kishte asnjë koment nga autoritetet franceze mbi raportimin.

Franca është përfshirë nga një valë protestash të dhunshme që nga 27 qershori, kur një oficer policie qëlloi për vdekje 17-vjeçarin Nahel M. në periferinë e Parisit, Nanterre.

Protestuesit sulmuan forcat e policisë dhe dyqanet, duke hedhur gurë dhe kokteje molotov, si dhe duke u vënë flakën qindra makinave dhe ndërtesave.