Franca konfirmon mbështetjen për ministrinë e kulturës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka takuar sot ambasadorin e ri të Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert, me të cilin ka biseduar për një varg çështjesh të intersit të përbashkët, si dhe nevojën që raporte bilaterale ndërmjet këtyre dy vendeve të thellohen, duke përmendur fushat specifike dhe tejet të rëndësishme, që janë kultura dhe sporti.

Ministri Shala dhe ambasadori Chaber theksuan nevojën që raportet politike në fushën e kulturës dhe të sportit, të zhvillohen edhe më tutje, sidomos me komunikim më aktiv ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre të Francës, dhe me njohjet të ndërsjella kulturore.

Ministri Shala e falënderoi ambasadorin Chabert për vizitën, dhe njëherësh i uroi sukses në misionin e ri në Kosovë, duke theksuar se, për Kosovën dhe institucionet e kulturës, bashkëpunimi me Francën është i një rëndësie të veçantë.

Po ashtu, ministri Shala u shpreh se Kosova synon të bëhet pjesë e organizatave kulturore dhe për këtë kërkoi ndihmën aktive dhe bashkëpunimin e Francës.

Ndërsa ambasadori Chabert e falënderoi ministrin Shala për pritjen dhe u shpreh se detyra e tij e re është një përgjegjësi e rëndësishme, që të vazhdojë bashkëpunimin me Institucionet e Kosovës, sidomos në fushën kulturës dhe sportit.

Po ashtu, ambasadori Chabert u shpreh se ka vullnet dhe mundësi që bashkëpunimi ndërmjet Francës dhe Kosovës të zgjerohet edhe në fusha tjera, duke përmendur librin, letërsinë dhe arkeologjinë.