Gabriel Escobar para detyrës se re në diplomacinë amerikane, sot flet për herë të fundit si emisar për rajonin

Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit të Shtetit dhe emisari i Qeverisë Amerikane për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do ta mbaj sot konferencën e fundit të tij për media në këtë kapacitet, pasi që në kuadër të rotacionit të rregullt të stafit diplomatik ai do të merr një angazhim të ri në diplomacinë amerikane.
Në këtë konferencë, Escobar do të flasë për zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor përgjatë tri viteve sa ka qenë në pozitën e tij, për sfidat dhe mundësitë përpara dhe do të marrë pyetje nga gazetarët.

“Në konferencën e tij të fundit përpara se të largohet nga pozicioni për detyrën e tij të ardhshme në Shërbimin e Jashtëm, Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar do të diskutojë zhvillimet në Ballkanin Perëndimor gjatë tre viteve të tij në këtë rol, si dhe sfidat dhe mundësitë në të ardhmen, dhe do të marrë pyetje nga gazetarët”, thuhet në njoftimin për media.

Ka pasur shumë lajme të rreme që kanë qarkulluar lidhur me Gabriel Escobar dhe largimin e tij nga pozita e emisarit për rajonin, duke mos ia kursyer as familjen e tij. Megjithatë nga Departamenti i Shtetit Amerikan i kanë mohuar gjithë pretendimet dhe dezinformatat e publikuara në rrjete sociale e faqe të ndryshme dhe kanë sqaruar se ai nuk është shkarkuar dhe se do të angazhohet në kapacitete të reja në shërbim të diplomacisë amerikane.